SKËNDER MINXHOZI – Mazhoranca hijeMos i bëj tjetrit atë që s’do të doje
të ta bënin ty. Ky proverb duket se i shkon për mrekulli asaj që ndodhi
dje në Kuvendin e Shqipërisë, ku opozita e re e nisi udhëtimin e saj
sfidues me rrjedhje votash.
Dhe personazhi që shkaktoi këtë fenomen, që të kujton disi vitin 2009, ishte sërish i njëjti: Ilir Meta. Katër vjet të shkuara, opozita e asaj kohe digjej nga marazi, teksa shihte sesi katër vota opozitare (për hir të së vërtetës, jashtë koalicionit elektoral të PS), spostoheshin djathtas, për t’i siguruar mbijetesën Sali Berishës edhe për një mandat të dytë. Ndërsa dje, tetë vota të opozitës, u hodhën në favor të zgjedhjes së kreut të LSI në krye të Kuvendit. Ajo që ndodhi dje në Parlament nuk ka të bëjë me humbjen ose fitoren e zgjedhjeve, por më shumë me humbjen e “fytyrës”, nga ana e PD, para opinionit publik shqiptar. Qe një fitore politike e së majtës, e cila u ngrit mbi një humbje politike të së djathtës.
Ilir Meta tregoi dje se kishte humbur peshë trupore, por jo peshë politike. Madje ai qe në gjendje të “zgjerojë” votat e veta dhe të shumicës, edhe brenda një liste të ngushtë prej 140 personash, siç është ajo e Kuvendit të Shqipërisë. Kësaj radhe, ai nuk pati nevojë të shkelte mbi vazot e luleve apo kokat e ministrave të Berishës, për të shkuar te poltroni më i lartë i Parlamentit. Ai u ngjit aty me protokoll dhe me një numër të papritur votash, të cilat e kanë futur në krizë, ende pa nisur sezoni parlamentar, opozitën e djathtë, që po heton këto orë se cilët qenë “tradhtarët”.
Me votimin e djeshëm, edhe PD ngeci, ashtu si të gjitha opozitat para saj, në masën viskoze të votave që gjallojnë në mes të dy partive të mëdha në Kuvend, e që lëvizin nga vendi vetëm në bazë të interesit, e jo sipas rreshtimeve ideologjike. Për një çast, teksa Spartak Braho shqiptonte shifrën 91 të votave që mori Meta, Berisha dhe të tjerët pas tij patën mundësinë të ndiejnë sesa e vështirë dhe hileqare mund të jetë opozita katërvjeçare që e pret që sot e tutje të djathtën parlamentare. Ndërsa shqiptarët mundën të shohin edhe një herë sesa të lëvizshme, të pastabilizuara dhe fluide janë konturet e dy grupimeve të mëdha brenda sallës së Kuvendit, ku pas çdo votimi të fshehtë prodhohen lëvizje votash dhe përmbysje raportesh numerike.
Në fakt, Parlamenti përsëriti dje në miniaturë, votën e madhe pragmatiste të 23 qershorit, ku si për dreq, sërish votat shkuan në të njëjtin xhep: tek Ilir Meta. Një provë e prekshme se edhe 140 të zgjedhurit, janë në fakt një zgjatim besnik i oqeanit të heshtur të votuesve shqiptarë.
Vota për Ilir Metën ka normalisht brenda një element që lidhet me individin, por e parë në aspektin politik, ajo përbën një çarje të sikletshme për opozitën. Kjo votë provon sesa e madhe është fuqia tërheqëse e mazhorancave në një sistem parlamentar si ky i yni, ku orbita e partive qeveritare thith pa pushim vota kryesisht nga partitë e vogla të palës tjetër, në një proces që çon në fuqizimin e qeverisë mbi opozitën dhe që demotivon dukshëm nismat e mundshme për rrëzimin e mazhorancave. Në Kuvend është zyrtarizuar tashmë mazhoranca hije, e cila u dëshmua dukshëm më e madhe se mazhoranca zyrtare.
Shumica bëri dje jo vetëm një provë teknike për kompaktësinë e saj (një votim i fshehtë është gjithmonë një votim me surpriza potencialisht të pakëndshme brenda), por dëshmoi gjithashtu se mund t’i gjejë në parim numrat që i duhen, sa herë që i nevojiten. Jo vetëm për të qeverisur, pasi ky cak është tejkaluar dukshëm tashmë. Por për të bërë apo zhbërë shumëçka që kërkon votën e Kuvendit, përfshirë edhe ndryshimet kushtetuese apo eventualisht edhe lëvizjet, shkarkimet e emërimet e zyrtarëve të lartë. Një prag që numerikisht i jep Ramës dhe Metës një qetësi të konsiderueshme dhe një mazhorancë të hekurt, por që nga ana tjetër, mbart me vete riskun e pashmangshëm të arrogancës së shifrave. Të cilin e kemi parë të shpaloset me gjithë shëmtinë e tij, në tetë vjetët e fundit, kur parlamentin e dominonte stili banal e provincial i ish-kryetares Topalli. Do të jetë një proces shumë delikat dhe i vështirë për t’u ndërtuar, ai i ndërmarrjes së reformave të mëdha, me konsensusin dhe bashkëpunimin e një opozite, e cila nuk mundet ta kushtëzojë numerikisht vetë procesin. Sepse tundimi më i rëndomtë do të jetë ai i imponimit me votë, e jo i kërkimit të konsensuseve të mëdha. Rama dhe Meta treguan dje se janë më të fuqishëm se kurrë. Mbetet të tregojnë se do të jenë gjithashtu edhe më bashkëpunues se paraardhësit e tyre.
Top Channel