“Me Islandën, ndeshja më e dobët”

11/09/2013 23:20

Pas humbjes me Islandën, trajneri i kombëtares shqiptare, Gianni de Biasi, pranoi se Shqipëria bëri ndeshjen më të dobët gjatë drejtimit të tij.

Dy humbjet me Slloveninë dhe Islandën na zgjuan nga gjumi dhe na rikthyen me këmbë në tokë, aty ku kemi qenë gjithnjë, por tekniku italian thekson se skuadra është e re dhe duhet pak kohë e punë, që të mendohet për një kualifikim në një aktivitet ndërkombëtar.

“T’iu them të drejtën, kjo ëndërr zgjati më shumë se sa duhet. Luajtëm ndaj një kundërshtari, që ishte më i përgatitur se ne, si psikologjikisht, ashtu edhe fizikisht. Nuk bëmë atë që duhej të bënim, madje ua lehtësuam fitoren me gabime në mbrojtje. Na mungoi edhe egërsia e duhur për të fituar një takim. Unë gjeta një ekip të shpërbërë dhe kam mbledhur futbollistët nga fillimi. Ka mjaft lojtarë të rinj, që kanë ardhur gjatë kohës që kam qenë unë trajner, dhe kemi punuar për të formuar një ekip sa më kompakt. Kemi nisur një punë nga zero dhe për një ekip kombëtar nevojitet kohë, që të arrijë në nivelin e duhur. Jam i bindur, që ky grup lojtarësh do na bëjë të gëzojmë në të ardhmen, pasi ka treguar se është i aftë të zhvillojë ndeshje të mëdha dhe ka shumë cilësi. Thjesht kanë nevojë për kohë”, u shpreh De Biasi.

Përsa i përket të ardhmes së tij në krye të pankinës kuqezi, trajneri De Biasi ia ka kaluar topin presidentit Duka, pasi – sipas tij – është ai që do të vendosë për këtë çështje. Burime të sigurta pranë FSHF pohojnë për Top Channel, se puna e De Biasi-t është vlerësuar shumë nga drejtuesit e Federatës dhe shumë shpejt pritet rinovimi i kontratës.

Top Channel