Deklasifikimi i dosjeve fillon nga votimi i hapur

11/09/2013 00:00

Arben Manaj – Hapjen e dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, i quajtur
rëndom dekomunistizim në zhargonin politik, po preferoj ta quaj
deklasifikim, pasi personalisht, mendoj se është më shkencor si term dhe
më i saktë se dekomunistizimi, i cili gjithsesi është një proces shumë
më i gjatë në kohë, sesa një akt i mirëfilltë dhe i vetëm i sanksionuar.

Deklasifikimi është më se i vonuar dhe padyshim më se i mirëpritur.

Iniciativa e Agron Tufës, si drejtor i deritanishëm i Institutit të Studimeve të Krimeve të Komunizmit, për një projektligj, që do e paraqesë së shpejti në Parlament, do të duhej të ishte bërë në kohën e ish-kryeministrit Berisha dhe partisë së tij, që përfaqësojnë më së miri, parimisht, viktimat e komunizmit, sesa çdo parti tjetër politike.

Admirueshëm mund të ishte bërë, përpara ose edhe pas vetësakrifikimit të Lirak Bejkos, ndjesë pastë, për të cilin z. Tufa ka mbajtur atë qëndrim publik që ka mbajtur dhe kjo ishte dhe është përzgjedhja e tij personale, të cilën e respektoj, ashtu siç kërkoj, që të tjerët të respektojnë përzgjedhjen time, por personale në qasjen e asaj çështjeje.

Thënë kjo, në këtë rast, nuk ka sesi të mos jem 100 për qind dakord me idenë e risjellë të z. Tufa, pavarësisht nga momenti i përzgjedhur, që lehtësisht mund të paragjykohet politikisht, të paktën jo nga unë.

Hapja e dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, për dallim nga dekomunistizimi, që merr më shumë kohë fizike, pasi është mentalitet dhe mbijeton më gjatë, do duhet mbështetur, jo për t’i bërë patjetër sfidë apo diversion politik Edi Ramës dhe premtimit të tij për qeverisje ndryshe.

Por duhet bërë që shqiptarët dhe Shqipëria të vendosë paqen e paplotë me vetveten, në radhë të parë.

Është një proces që e kanë bërë shtete të tjera të ish-Lindjes europiane, që kanë qenë më pak ortodokse në ideologjinë e tyre dhe me një “komunizëm me fytyrë njeriu” në aplikimin e tij në shoqëritë respektive, që lidhet me faktorë të tjerë, esktrashqiptarë.

Dhe duke qenë se ne kemi të bëjmë me një aplikim shumë më të egër, normalisht, lipset një qasje shumë më e kujdesshme, që nuk duhet të pengojë asesi hapjen e dosjeve, me përjashtim të atyre, që normalisht në aspektin profesional më të kualifikuar, do të cenonin sigurinë kombëtare.

Varianti shqiptar i ish-Sigurimit të Shtetit, i aplikuar sipas modeleve të huazuara nga Lindja komuniste, dhe i aplikuar me thekse dhe veçori ekskluzive shqiptare, ka shumë pak ose aspak krahasime, ngjashmëri dhe përafrime me çdo nocion modern të rekrutimit të agjencive të sotme të inteligjencës.

Koha ishte ndryshe dhe ideologjia e atillë, që toleronte ekstremitete.

Sigurimi i Shtetit, siç e dëshmon edhe termi, ishte krijuar për të ruajtur atë shtet komunist, që operonte mbi luftën e egër të klasave dhe diktaturën e proletariatit, siç njihej zyrtarisht.

Të përmbysurit politikë të pas Luftës së Dytë Botërore, ishin “antishteti”, dhe Sigurimi i Shtetit ruante ngrehinën shtetërore dhe përfaqësuesit e saj, dhe atë ideologji nga tjetërsimi i tyre, nga armiqtë politikë dhe të deklasuarit.

Pikërisht këtu ka qenë edhe objekti i rekrutimeve të asaj strukture, te kjo shtresë që e kishte nën thundër dhe me shkelmin në fyt, duke përdorur ato forma dhe mjete shantazhi dhe presioni për rekrutim, që tashmë dihen.

Cenueshmëria e të “deklasuarve”, po përdor për t’u mos u paragjykuar, termin siç quheshin atëherë, e bënte më të lehtë rekrutimin e elementëve në radhët e tyre, të cilët në shumicën dërmuese të rasteve që njihen, e bënin atë për mbijetesë fizike, ashtu siç pati pjesëtarë të saj, që nuk u thyhen as jashtë dhe as brenda në qelitë e komunizmit.

Në këtë sens, do duhet parë hapja e dosjeve, pasi në shumicën dërmuese, besohet, sipas mendimit të specializuar, se dosje kanë pasur ata individë, që bashkëpunonin me Sigurimin e Shtetit, për ato arsye që thashë më sipër.

Këta kërkonte të rekrutonte ish-Sigurimi famëkeq, për të mësuar se çfarë ndodhte në radhët e armikut të klasës dhe jo dhe aq, në radhët e njerëzve të pushtetit.

Me njerëzit e pushtetit, si rasti i Ngjelës apo Lubonjës, ishte më i lehtë për ish-sistemin që të mësonte për rebelimin dhe non-konformizmin e tyre.

Por pjesë e dosjeve ishin edhe ata që në shkallë të ndryshme vullnetarizmi ose dobësie dhe kjo varet specifikisht nga rastet e tyre konkrete, tregonin prirje për të bashkëpunuar, qoftë edhe për karrierë në jetë apo një siguri më të madhe dhe mbijetesë njerëzore.

Edhe pse mund të jetë simptomatike se përse ne si vend mund të jemi ndër të fundit, që s’i kemi hyrë seriozisht këtij procesi deklasifikimi apo lustracioni të thellë, po aq mund të jetë edhe avanatazhuese, në sensin që mund të përfitojmë nga eksperiencat e vendeve të tjera dhe korrigjimet e mundshme, që mund t’u bëhen efekteve të pritshme të një procesi të këtillë delikat.

Ajo që spikat në rastin shqiptar, është një fakt i pamohueshëm dhe i verifikueshëm.

Shumë vuajtës dhe viktima të ish-Sigurimit të Shtetit dhe kamxhikut të tij, i njihnin tashmë xhelatët e tyre dhe ata që i kanë spiunuar apo dëshmuar kundër tyre.

Specifika shqiptare qëndron në lartësinë shpirtërore të viktimave politike të atij regjimi, që nuk kanë harruar, por kanë falur dhe janë sjellë me torturuesit apo denoncuesit e tyre, pas rënies së atij sistemi, me një finese, shpirtgjerësi njerëzore dhe xhentilesë të pashoqe, që “hakmerret  dhe vret “ më shumë si e tillë, se çdo formë tjetër sjelljeje apo reagimi të pritshëm në liri.

Në këtë aspekt, efekti i hapjes së dosjeve, është pjesërisht i ezauruar, përveç atyre pseudonim-mbajtëseve, që moralisht, vartësisht edhe ligjërisht, nuk do duhet të merren me politikë aktive dhe nuk duhen manipuluar nga politika aktive.

Ata që për nga shkalla e angazhimit ende të paditur zyrtarisht deri në hapjen e atyre dosjeve, të cilat mund të kenë mbijetuar, dhe nuk janë asgjësuar ndërkohë, dhe ky është një problem jo i vogël, do të duhet të eliminohen nga funksionet publike, ose identifikohen së paku publikisht, si të tillë.

Kjo jo për të vrarë kuriozitetin e njerëzve, sesa për të mos paragjykuar, madje edhe për t’u hequr të përfolurve me ose pa të drejtë, alibinë e të mosqenët bashkëpunëtor i ish-Sigurimit të Shtetit.

Deklasifikimi do të duhet të fillojë medoemos me një votim të hapur në Parlamentin e ri, si shenja e parë e sinqeritetit politik dhe të të qeverisurit ndryshe, por njëkohësisht edhe të opozitarizmit po ndryshe.

Kushdoqoftë që do dekonspirohet zyrtarisht, edhe mund të ketë mirëkuptimin tim, për një lugë çorbë të prishur, që mund të kenë ngrënë dikur…, por kurrsesi respektin që kam për Preç Zogajn.

Gazeta “Shqip”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA