Brazil 2014, ekipet e para të kualifikuara

11/09/2013 01:00

Në Torino është kthyer gjithçka në festë madhore për Italinë, e cila mposht me përmbysje Republikën Çeke dhe kualifikohet zyrtarisht në Botërorin “Brazil 2014”.

Skuadra e Prandelli-t pëson gol në pjesën e parë nga një ish-lojtar i Serie A, Kozak (luante me Lacion), i cili zhbllokon rezultatin e ndeshjes në minutën e 19.

Por, “axurrët” nuk dorëzohen dhe në pjesën e dytë arrijnë të ndryshojnë fatin e ndeshjes. Chiellini barazon, pas një goli me kokë në minutën e 51, ndërsa Balotelli realizon golin e fitores 2-1, pas gjuajtjes nga 11-metërshi, vetëm 3 minuta më pas.

Jo vetëm Italia është kualifikuar zyrtarisht për në kampionatin botëror të vitit të ardhshëm. Edhe Holanda ka siguruar biletën për në Brazil, falë dopietës së Van Persie-t, duke mposhtur Andorrën, si dhe falë humbjes së Rumanisë me Turqinë, 2-0 për të besuarit e Fatih Terim.

Kombëtarja “portokalli” e drejtuar nga Van Gaal arrin objektivin 2 ndeshje nga fundi i kualifikueseve, falë një fitoreje të lehtë ndaj Andorrës, që veç faktit që ka 0 pikë në grup, nuk ka shënuar as edhe një gol. Hungaria mbetet në vendin e dytë të grupit D, pas shpartallimit të Estonisë, 5-1.

Gjermania, pavarësisht se fiton 3-0 kundër Ishujve Faroe, nuk arrin të kualifikohet zyrtarisht, kjo për shkak të triumfit të Suedisë ndaj Kazakistanit, kështu që do t’i duhet raundi i ardhshëm i kualifikueseve për të qenë pjesë e “Brazil 2014”.

Franca triumfon në një sfidë me shumë gola ndaj Bjellorusisë, në transfertë 4-2, ku ka shënuar gol edhe mesfushori i talentuar i Juventusit, Pogba, veç dopietës së Ribery dhe golit të Nasri, duke shtyrë festimet e Spanjën për një kualifikim të mundshëm nga vendi i parë. Kampionët në fuqi të botës dhe Europës e kishin pushim këtë raund.

Në grupin A ndalen dy kryesuesit, Belgjika e Kroacia, ndërkohë që arrijnë suksese Serbia e Mihajlovic, 3-0 me Uellsin në transfertë, dhe Skocia, 2-1 ndaj Maqedonisë.

Humbet edhe Irlanda e Giovanni Trapattoni-t, 1-0 ndaj Austrisë, në një ndeshje ku ka vendosur goli në minutën e 84 i talentit të Bayern Munchen, David Alaba.

Në grupin E, atë të Shqipërisë, Zvicra do të duhet të presë ndeshjen e ardhshme ndaj kuqezinjve tanë për të prenotuar udhëtimin drejt Brazilit. “Helvetët” mposhtin 2-0 Norvegjinë, në shtëpinë e këtyre të fundit, duke mbetur 6 pikë më shumë se Sllovenia e vendit të dytë, teksa këta të fundit marrin fitoren e 3-të radhazi në grup ndaj Qipros, 2-0.

Në grupin G, dy kryesuesit vazhdojnë “betejën” mes tyre. Greqia dhe Bosnja fitojnë ndeshjet respektive dhe ndodhen me 19 pikë secila. Grekët mposhtin 1-0 Letoninë, ndërsa boshnjakët përmbysin rezultatin ndaj Sllovakisë e triumfojnë 2-1. Nuk vlen asgjë goli i shënuar nga Hamsik.

Në grupin H, Anglia e Hodgson barazon 0-0 ndaj Ukrainës, në ditën kur Frank Lampard festonte ndeshjen e tij të 100 me kombëtaren e “3 luanëve”. Anglezët mbeten në krye me 16 pikë, teksa ndiqen nga Ukraina e Mali i Zi me nga 15 pikë.

Polonia triumfon në një ndeshje të lehtë ndaj San Marinos, 5-1. Finlanda rrëmben një fitore minimale, 1-0, në Gjeorgji.

Rusia e Fabio Capello-s siguron fitoren e dytë radhazi, pasi mposhtin 3-1 Izraelin në Shën Pjetërburg, duke qenë më pranë kualifikimit në Botëror, pasi i rrëmbejnë kështu vendin e parë në grupin F Portugalisë. 18 pikë për rusët dhe 17 për kombëtaren e Cristiano Ronaldo-s.

Ndërkohë, Zlatan Ibrahimovic i jep një fitore jetike 1-0 Suedisë, pavarësisht një kundërshtari modest si Kazakistani, duke shtyrë festën për Gjermaninë. Kualifikimi për Suedinë mbetet ende i vështirë, pasi dy ndeshjet e fundit do t’i zhvillojë në shtëpi, kundër Austrisë dhe Gjermanisë.

Në grupin B, atë të Italisë, merr 3 pikë edhe Danimarka, pas fitores 1-0 ndaj Armenisë, e tashmë gjendet në kuotën e 12 pikëve. Vendos penalltia e Daniel Agger. Fiton gjithashtu edhe Bullgaria, 2-1 ndaj Maltës, duke mbetur në vendin e dytë me 14 pikë.

Top Channel