Ndryshe nga bojkoti i seancës parlamentare, ku kryeministri i mandatuar Edi Rama paraqiti programin e qeverisë që do të drejtojë, opozita do të jetë të shtunën në sallë, gjatë debatit për programin. Vendimi u mor në mbrëmje, pas mbledhjes së grupit parlamentar të Partisë Demokratike.

“Nëse mendon se nëpërmjet këtij akti të ulët, jo civil, do të mund t’i ikë përgjegjësisë për transparencë përpara qytetarëve, e ka gabim. Të shtunën, grupi parlamentar i PD-së do të zbërthejë një nga një në dritën e transparencës dështimet spektakolare të kryesocialistit sonte, për t’u dhënë shqiptarëve shpjegime të qarta, për mënyrën se si do të arrijë objektivat e premtuar. Dhe, do të kërkojë po kështu, përpara qytetarëve shqiptarë, përgjigje për të gjitha çështjet, pyetjet e papërgjigjura sot, në aktin e ulët e jo civil të kryesocialistit në ditën e parë të tij në foltoren e Kuvendit”, theksoi Basha.

Kryetari i PD-së akuzoi Ramën se, në seancën e së mërkurës solli gjuhën e urrejtjes dhe mllefit ndaj opozitës. Sipas tij, nëse Rama këtë gjë e përsërit, atëherë opozita do të dalë edhe në shesh.

“Ne nuk do t’i japim paqe asnjë minutë për premtimet e bëra. Sikundër nuk do të pranojmë gjuhën e vjetër të urrejtjes, të provokojë më opozitën dhe përfaqësuesit e saj në Kuvend. Sot mori një përgjigje civile dhe të qytetëruar. Nesër, pasnesër dhe në ditët në vijim, çdo akt tjetër provokimi do të ketë përgjigje proporcionale të plotë dhe të gjithanshme në aulën e Kuvendit, në çdo shesh e çdo rrugë të vendit. Ky është qëllimi i Partisë Demokratike dhe aleatëve të saj”, përfundoi Basha.

***

Basha: Rama përdori gjuhën e urrejtjes
“Ishte e vetmja alibi për t’i shpëtuar llogaridhënies”

Kryetari i PD, Lulzim Basha e ka cilësuar si një
alibi gjuhën e përdorur nga kryeministri Edi Rama ndaj opozitës, në
seancën për prezantimin e programit të qeverisës.

Në një deklaratë për shtyp pas mbledhjes së grupit parlamentar demokrat, Basha ka deklaruar se opozita nuk mund ta toleronte këtë gjuhë, që sipas tij është një mendësi e vjetër por e rikthyer tek kryetari i PS.

“Në mënyrë të papreçedentë u përdor foltorja e Parlamentit për të sulmuar me gjuhën e urrejtjes opozitën. Kjo gjuhë nuk është një akt i izoluar, por vjen në vazhdimësi, pas vendimeve të djeshme për t’u mohuar qytetarëve shqiptarë transparencën e votimit”, ka thënë Basha.

“Kemi të bëjmë nga njëra anë me një mendësi të vjetër të tejkaluar prej kohësh nga parardhësit e kryesocialistit, por që rikthehet fuqishëm. Rilindja e mendësisë së vjetër, gjuhës së mllefit dhe hedhjes së baltës”, ka vijuar ai.

Por, sipas tij, kjo ishte e vetmja alibi e kryesocialistit për t’i ikur programit, premtimeve, objektivave dhe shpjegimeve të rrugës së qeverisë.

Basha ka theksuar se, grupi parlamentar i PD me qëndrimin e mbajtur sot e refuzon këtë gjuhë, por ka paralajmëruar se nuk do të ketë një tjetër bojkot, pasi Rama nuk do t’u shpëjtojë përgjegjësive të tij për premtimet e bëra në fushatë.

“Sepse nëse ky ishte qëllimi i fshehur i kryesocialistit, i garantojmë se nuk e ka arritur. Sot ai dështoi tërësisht me paraqitjen e programit qeverisës, me transparencën ndaj qytetarëve dhe në raport me premtimet. Ai ia doli vetëm të kthejë në Parlament gjuhën e akuzave e përbaltjes”, ka thënë Basha.

“Nëse për të parën e mori përgjigjen sot, atë të refuzimit të gjuhës së urrejtjes, herën tjetër do të marrë pjesën tjetër. Sepse PD dhe aleatët nuk do ta lejojnë dhe pranojnë atë. Nëse ai mendon se vetëm me alibi do t’i iki përgjegjësisë, e ka gabim. Të shtunën, grupi demokrat do të zbërthejë dështimet spektakolare të premtimeve të kryesocialistit”, ka nënvizuar Basha.

Gjithashtu, kreu i opozitës së re ka premtuar se grupi parlamentar demokrat do të kërkojë për qytetarët përgjigje për të gjitha çështjet, të cilat Rama i shmangu sot.

“I siguroj qytetarët se PD mbetet e përkushtuar ndaj kauzës së tyre legjitime për të dëgjuar llogaridhënie transparente nga të zgjedhurit”, ka shtuar Basha në deklaratën për shtyp të mbajtur rreth 1 orë e gjysmë pas Kuvendit.

Top Channel