Piloti spanjoll, Fernando Alonso, i dedikoi disa fjalë të ngrohta shokut të tij të skuadrës, Felipe Massa, pas zyrtarizmit të largimit të brazilianit nga Ferrari në sezonin e ardhshëm.
Pas tetë sezonesh tek “kokëkuqja”, Massa do të zëvendësohet në 2013-n nga ana e Kimi Raikkonen dhe në profilin e tij në “Twitter”, Alonso deklaroi: “I uroj mikut tim Massa të gjithë fatin për vitet e ardhshme. Do të jesh një rival i fortë Felipe, ashtu siç ke qenë edhe një koleg i shkëlqyer. Na mbeten ende edhe shtatë gara për t’u argëtuar së bashku”.
Më parë gjatë ditës, Massa konfirmoi së bashku me largimin, edhe dëshirën e tij për të qëndruar ende në xhiron e Formulës 1.
“Në vitin 2014 nuk do të drejtoj më një Ferrari. Do të kem kohë për të kërkuar një makinë konkurruese në muajt e mbetur, por mbi të gjitha dua të falenderoj ekipin për të gjithë fitoret e arritura e momentet e pabesueshme të përjetuar së bashku”, u shpreh braziliani nëpërmjet profilit të tij në “Instagram”.
Top Channel