Aleatët e moderuar të opozitës

11/09/2013 00:00

PDIU dhe PDK i kanë mbetur besnike vendimit politik për të votuar kundër
kandidaturës së zotit Ilir Meta për postin e kryetarit të Kuvendit.

Sipas krerëve të këtyre forcave, 8 votat qe kane rrjedhur nga opozita e re nuk kanë lidhje me PDIU dhe PDK.

“Përsa i përket qëndrimit të Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet, ne kemi mbledhur grupin parlamentar dhe sigurisht duke konsideruar edhe këtë votim si votim politik, siç është votimi për Qeverinë apo për buxhetin, ne morëm vendimin politik që të votojmë kundra kandidaturës së maxhorancës, pra nuk kemi ndonjë personale. Ky  është një qëndrim politik i PDIU-së”, tha kreu i kësaj force, Shpëtim Idrizi.

“Unë nëse do ta votoja zotin Meta, për arsye se kam patur marrëdhënie personale dhe i kam të tilla, miqësore, politike, kemi kaluar një grevë së bashku, do ta bëja publik vendimin tim, nuk kam asnjë lloj frikë për ta bërë një gjë të tillë”, tha Ndoka, kreu i PDK-së.

Zoti Idrizi ka theksuar se PDIU do te kete nje pozicion pro bashkepunimit dhe ne mbeshtetje te interesave kombetare, duke mos i dhene udhe, siç ai thekson, nje opozite bllokuese.

“Refuzoj termin ‘opozitë e ashpër’, çfarë do të thotë ky term? Ne jemi brenda kontureve të institucionet e opozitës, pra konturet janë të përcaktuara se kush quhet një opozitë konstruktive dhe njëkohësisht e fortë në kuptimin e mosbjerrjes së interesit publik, transparencës dhe të drejtës morale për të kontrolluar Qeverinë. Pra nga kjo anë, brenda këtij konteksti do ta mirëkuptoja dhe të bëhesha pjesë e kësaj opozitë. Cdo veprim obskurantist, çdo veprim dhunues nga maxhoranca apo nga opozita do të refuzohet nga PDIU-ja”, tha Idrizi.

Kreu demokristian ka shkuar me tej, teksa pohon se qendrimi i tij mund te jete shpesh edhe i ndryshem nga ai politik i Partisë Demokratike.

“Opozita do të jetë objektive në këtë rast apo të paktën roli i Partisë Demokristiane apo i imi si kryetar i kësaj partie do të të jetë ndryshe edhe me qëndrimet e PD-së dhe të grupit të saj parlamentar”, tha Ndoka.

Ndersa zoti Idrizi tregohet me diplomat sa i takon bashkepunimit me socialistet, kreu i demokristianeve Ndoka eshte me i hapur ne lidhje me kete çeshtje.

“Kjo nuk është zgjidhje e jona, pra nuk është se zgjedhim të jemi në opozitë apo të jemi në pozitë. Ne ndjehemi komodë me 5 deputetë, ndaj çdo lloj pozicioni që ne kemi në politikën shqiptare. Logjika e numrave, logjika e rreshtimeve të koalicionit përcakton edhe pozicionin politik, por kjo nuk na bën që të kemi ndonjë lloj kompleksi. Jemi për herë të parë 5 deputetë nga komuniteti çam dhe e kemi shumë të qartë pse jemi në Parlamentin shqiptar, pse jemi votuar dhe nuk mund të ketë axhendë tjetër për ne”, tha Idrizi.

“Si drejtues i kësaj partie kam bashkëpunuar me Partinë Socialiste për tre vjet në opozitë. Ka qenë një bashkëpunim i vlefshëm dhe i frytshëm për nga eksperienca politike, nga thyerja e tabuve që kanë ekzistuar, pra i kemi tejkaluar pengesat e tilla dhe nuk shoh ndonjë pengesë reale edhe për bashkëpunime në të ardhmen”, tha Ndoka.

Duke ju referuar qendrimeve te aleateve te Partise Demokratike jo vetem PDIU – se dhe PDK-së, por edhe republikaneve te Fatmir Mediut dhe Dashamir Shehit te LZHK-së, qe kane konfirmuar voten e tyre kunder zotit Meta ne Kuvend, rezulton, nese ky qendrim eshte plotesisht i vertete, se 8 votat kane rrjedhur nga vete Partia Demokratike. Kjo mbetet per t’u pare ne procese te tjera votimi ne sallen e Kuvendit.

 

Top Channel