Siria, BE mbështet nismën ruse

10/09/2013 00:00

Bashkimi Europian mbështet propozimin rus për dorëzimin e armëve kimike nga regjimi sirian dhe vënien e tyre nën kontroll ndërkombëtar. Përfaqësuesja e Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri në BE, Catherine Ashton, mirëpriti edhe deklaratën e Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Moon, si dhe qëllimin e Francës për ngritjen e një Rezolute në Këshillin e Sigurimit për vënien në jetë të këtij propozimi.

“Bashkimi Europian i bën thirrje Sirisë të miratojë me urgjencë Konventën për Armët Kimike si dhe të ratifikojë Konventën për Armët Biologjike. Ne presim që autoritetet siriane të marrin përgjegjësinë e plotë për të garantuar ruajtjen e sigurtë të armëve kimike në pritje të shkatërrimit të verifikuar dhe të pavarur, si dhe për të mos lejuar rënien e tyre në duart e çdo aktori tjetër shtetëror apo jo-shtetëror”, bën thirrje Ashton nëpërmjet një deklarate për shtyp.

Përfaqësuesja e Lartë e BE-së shpreson se zhvillimet e fundit do të lehtësojnë përpjekjet drejt një zgjidhjeje politike të konfliktit sirian dhe i bën thirrje komunitetit ndërkombëtar për ringjalljen e procesit të mbajtjes pa pengesa të një konference paqeje mbi Sirinë, siç propozohet nga nisma SHBA-Rusi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB