
Zyra e kryeministrit të mandatuar, Edi Rama vuri në dispozicion të deputetëve dhe trupit diplomatik të akredituar në Tiranë 24 orë përpara votimit të qeverisë së re nga parlamenti, programin qeverisës të detajuar të Aleancës për Shqipërinë Europiane 2013-2017.
“Shqipëria e Gjeneratës Tjetër” është motoja e këtij program që do të shoqërojë qeverinë Rama gjatë mandatit qeverisës duke u bazuar në tre kollona, Ligj, Përgjegjësi, Solidaritet.
Programi qeverisë së re, një kopje e të cilit është siguruar nga gazetari i Top Channel, Muhamed Veliu, nis me parathënien e Edi Ramës i cili shprehet se është krenar për besimin që një shumicë e pazakonshme zgjedhësish investuan tek ne “Aleanca për Shqipërinë Europiane”.
“Me diskutimin dhe miratimin e këtij program në Kuvend – thotë Rama – nis përballja me realitetin e vështirë të një Shqipërie të lënduar thellë në trup zemër e mendje nga një rrënim i gjithanshëm”.
“Liri e njerëzve dhe konkurencë, përgjegjesi e gjithkujt përpara vendit dhe ligjit, solidaritet me më të dobëtit, do të jenë – thotë Edi Rama – principet bazë të qeverisjes së re pasi, sic thekson ai – bindja jonë është e thjeshtë: Shqipëria meriton më shumë”.
Pesë janë kapitujt e detajuar të këtij programi. Integrimi në Bashkimin Europian, Shqipëria europiane në rajon dhe në botë, shteti i së drejtës dhe demokratizimi shoqërisë, zhvillimi ekonomik dhe shërbimet publike.
1) Në kapitullin për shtetin e së drejtës dhe demokratizimin e shoqërisë qeveria e re e zotit Rama vjen me ambicien për rikthimin e Policisë së Shtetit në krye të detyrës për të garantuar rend dhe qetësi duke kontrolluar territorin, duke ulur dukshëm shkallën e kriminalitetit, përfshi normalizimin e trafikut rrugor, duke marrë masat për shmangien e aksidenteve të rënda.
2) Sigurisë së pronës në këtë program i kushtohet një vënd i posaçëm ku qeveria Rama kërkon të vërë në zbatim kthimin dhe kompensimin e pronave private, ndërtimin e agjencisë së legalizimeve dhe duke orientuar procesin e privatizimit të pasurive publike drejt kompensimit të ish-pronarëve.
3) Qeveria e re angazhohet të mobilizojë të gjitha burimet e duhura njerëzore teknike dhe financiare që ajo ka në dispozicion në shërbim të një faqeje të re të sundimit të ligjit në Shqipëri në përputhje me standardet e pritëshme për një vend kandidat në BE. E që kjo të arrihet qeveria e re merr angazhimin në ndërmarrjen e një reforme rrënjësore afatgjatë dhe gjithëpërfshirëse për të rivendosur integritetin e pushtetit gjyqësor dhe institucioneve të sistemit të drejtësisë. Kjo reformë në gjyqësor përmban. Ndryshimin e ligjit për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, ndryshimin e ligjit për Gjykatën Kushtetuese, amendimin e Kodit të Procedurës Penale, përfshi ndërtimin e strategjisë kundër korrupsionit në sistemin e drejtësisë.
4) Intensifikimin e menjehërshëm të luftës kundër korrupsionit duke çmontuar murin e paprekshmërisë e pandëshkueshmërirë – thuhet në program. E për ta realizuar këtë parashikohet parandalim, ndërgjegjësim dhe ndëshkim. Këto tre elementë Qeveria Rama do t’i vendosë në zbatim nëpërmjet hartimit të strategjisë dhe planit kombëtar të veprimit kundër korrupsionit brenda vitit të parë të qeverisjes duke e zbatuar me efektivitet në vitet në vijim.
5) Progami Qeverisë Rama ndalet edhe në çështjet që lidhen me median. “AMA dhe televizioni shqiptar janë shembuj flagrant të moszbatimit të ligjit nën qeverisjen e PD-s dhe se AMA është tërësisht politike dhe e njëanshme, sikurse në shumicën e rasteve reklama qeveritare nuk ndahen në bazë të vlerës së tregut, por në bazë të lidhjeve klienteliste dhe korruptive që kishte qeveria me kanale televizive apo gazeta afër saj. E që kjo situatë të ndryshojë programi qeverisës parashikon kthimin e medias publike në një përfaqësuese të denjë të taksapaguesit shqiptar, përmirësim të standardeve ligjore për gazetarët duke u dhënë akses të shpejtë në marrjen e informacionit, kritere jodiskriminuese objektive dhe transparente për licensimin, përfshi ndryshimin e përbërjes së AMA-s e cila sot është politike, në favor të performancës profesionale për t’u ofruar të gjithë transmetuesve vendor e kombëtarë trajtim të njëjtë para ligjit.
6) Modelei i ri ekonomik për qeverinë e re nënkupton “garantim të rritjes së qëndrueshme duke identifikuar burime të reja që ushqejnë ekonominë apo zëvëndësuesit e disa prej burimeve aktuale të rritjes që në periudha afatshkurtëra dhe afatmesme pritet të kontribuojnë më pak se tani. Fokusim maksimal drejt politikave prodhuese, sidomos atyre energjitike, industriale dhe agrare duke mbështetur nxitjen e eksporteve, kujdes me stabilitetin financiar dhe shfrytëzimin e kapitalit human në vend.
7) Qeveria Rama angazhohet nëpërmjet këtij program të krijojë 300 mijë vende të reja pune, 40 mijë në industrinë prodhuese, 12 mijë vënde pune shoqëruese të lidhura me to, 15 mijë të lidhura me industrinë e lidhur me detin, 155 mijë në aktivitetet e lidhura me bujqësinë dhe blektorinë, 62 mijë përmes reformimit të programit të ndihmës ekonomike, 11 mijë vënde pune në industrinë e turizmit dhe 4 mije vënde të tjera puna në sektorin e teknologjisë së informacionit.
8) Duke e konsideruar arsimin si një ndër politikat më të mira ekonomike që garanton zhvillim, qeveria e zotit Rama synon që financimi publik për këtë sektor të jetë 5 përqind e nivelit të Prodhimit të Brendshëm Bruto, dhënien fund të mësimit me 3 turne në shkolla, krijimin e kartës së performancës së shkollës.
9) Sfida jonë është që t’u rikthejmë qytetarëve besimin e humbur tek shërbimet shëndetësore duke u dhënë mbrojtjen e merituar përmes një sistemi shëndetësor me mbulim universal dhe t’u krijojmë kushtet e nevojshme profesionistëve për të shërbyer me cilësi”, thuhet në kapitullin për shëndetësinë ku parashikohet: heqje e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar për shërbimet dhe mallrat mjekësore me efekt nga fillimi vitit 2014, ndërtimin e Shërbimit të Kombëtar Shëndetësor që do të jetë paguesi i vetëm i shërbimit të kujdesit shëndetësor duke siguruar që askush mos të përballet me pengesa financiare. Kujdesi shëndetësor do të financohet nga taksimi i përgjithshëm si dhe Qendra e Kontrollit të Barnave do të kthehet në Agjencinë Kombëtare të Barnave dhe Materialeve Shëndetësore.
Programi qeverisës, një botim i kujdeshëm si kapitull të fundit ka CV-të e secilit prej ministrave të kabinetit Rama.
Top Channel