Pique: Ishim skllevër të “tiki-takës”

10/09/2013 00:00

Barcelona duhej të ndryshonte pas 4 viteve të mbushura me trofe sepse kundërshtarët kishin gjetur formulën për të ndaluar azulgranat. Në dy sezonet e fundit Chelsea, Reali, PSG e madje Celtic dhe Milan e kanë ndalur makinerinë katalanase. Pa përmendur këtu leksionet që i dha Bajerni i Heynckes në gjysmëfinalet e Champions.

Vilanova e kishte kuptuar, por sëmundja nuk e la të niste një strategji të re. Domosdoshmëria e një taktike të re është konfirmuar nga Gerard Pique, i cili në një intervistë për ‘La Gazzetta dello Sport’ ka theksuar se Barcelona ishte bërë “skllave e tiki-takës”.

“E kemi konsumuar shumë stilin tonë të lojës dhe arritëm një pikë që u bëmë skllevër të sistemit tonë. Tashmë, me ardhjen e Tata Martinos, po ndryshojnë disa gjëra. Ai ka të njëjtën ide loje, i pëlqen zotërimi i topit, por na ka treguar edhe opsione të tjera. Tashmë kemi më shumë variante. Kur na bëjnë presing, nisim topin e gjatë. Kjo nuk është gjë e keqe, thjesht të lejon të ndryshosh lojë, të marrësh frymë dhe të shmangësh humbjen e topit”, deklaroi qendërmbrojtësi spanjoll.

Tashmë mbetet të shohim sesi do të priten deklarata të tilla në ambientin katalanas, pasi kjo është hera e parë që një pjesëtar i kësaj skuadre flet për topa të gjatë pas 4 vitesh me pasime të shkurtra, pas 4 vitesh me “tiki-taka”.

Top Channel