Balla: Qesharake reagimet e opozitës

10/09/2013 22:30

Deputeti i Partisë Socialiste, Taulant Balla, thotë se kanë qenë shumë qesharake sot, reagimet e kryetarit të komanduar të grupit të PD, Edi Paloka, dhe të kryetarit të PD, Lulzim Basha, lidhur me mbajtjen e seancës së nesërme të Kuvendit të Shqipërisë, për miratimin e programit politik dhe të përbërjes së Këshillit të Ministrave.

Duke cituar rregulloren e Kuvendit, Balla thotë:

“Data e seancës plenare për miratimin e programit politik dhe të përbërjes së Këshillit të Ministrave, në zbatim të nenit 97 të Kushtetutës, përcaktohet nga kryetari i Kuvendit në marrëveshje me Kryeministrin. Programi politik i Këshillit të Ministrave dhe përbërja e tij paraqiten në Kuvend nga Kryeministri. Pas paraqitjes së programit politik, çdo deputet dhe grup parlamentar ka të drejtë të paraqesë pyetje për Kryeministrin. Pas përgjigjeve të pyetjeve, kryetari i Kuvendit deklaron hapjen e debatit për programin politik dhe përbërjen e Këshillit të Ministrave”.

Por, po ashtu, Balla poston në faqen e tij në Facebook edhe procesverbalin e seancës plenare të datës 9 shtator 2005, atëherë prezantohej dhe miratohej programi dhe qeveria e Sali Berishës, pas rotacionit politik të vitit 2005.

Sipas dokumentit, Balla thotë se 8 vjet më parë Partisë Socialiste iu la vetëm gjysmë ore kohë për paraqitjen e pyetjeve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA