Zidane: Askush nuk vlen 100 milionë euro

09/09/2013 00:00

Zinedine Zidane dha mendimin e tij për blerjen më të shtrenjtë të historisë së futbollit, Gareth Bale duke thënë se asnjë futbollist nuk vlen kaq shumë para’.

“Para 10 vitesh kam thënë edhe për veten se nuk vleja 75 milionë euro kur më bleu Reali nga Juventusi. Këtë gjë e them edhe sot. Asnjë futbollist nuk vlen kaq shumë para’, por kështu e ka futbolli. Dy klube bien dakord për një çmim dhe kaq. Edhe pse me krizën e sotme, është e vështirë të kuptohet”, deklaroi francezi për Canal +.

Real Madrid bleu Gareth Bale nga Tottenham për 101 milionë euro (edhe pse madrilenët theksojnë se kanë paguar 91 milionë euro duke lënë ende Cristiano Ronaldon si futbollistin më të shtrenjtë në botë) duke habitur të gjithë me një lëvizje të tillë.

Zidane foli për vështirësitë që mund të hasë Bale në kryeqytetin spanjoll: “E kam provuar vetë se çfarë do të thotë të vish tek një klub si Reali me një çmim të tillë mbi supe. Tre muajt e parë e kam pasur shumë të vështirë dhe madje kam menduar largimin. Bale është nga lojtarët më të mirë të momentit dhe nuk duhet t’i vërë presion vetes.”

Zidane shpjegoi rolin e tij tek Reali: “Ancelotti e ka ndihmësin e tij që merret me aspektin teknik dhe strategjitë. Unë merrem më shumë me lojtarët individualisht. Po mësoj shumë gjëra.”

Top Channel