Berisha, si rreziku më i madh i PD-së!

09/09/2013 00:00

Arben Manaj – Shqiptarët, më 23 qershor, vetëshpëtuan nga Berisha, duke
ia mbyllur njëherë e përgjithmonë rrugën e rikthimit të tij të
makthshëm, në çfarëdolloj kapaciteti për drejtimin administrativ të
vendit. Këtej e tutje, ai nuk do jetë më kryeministër i këtij vendi apo
president i tij.

Problemi më i madh është tashmë te shqiptarët që votojnë Partinë Demokratike, të cilët, matematikisht, më shumë humbasin me Berishën nëpër këmbë, sesa kanë shanse të rikthehen në pushtet, në një të ardhme të afërt.

Berisha është një figurë shumë komplekse politike dhe me dritëhije të mëdha. Një pjesë e madhe e shohin si “mallkimin më të egër” të këtij populli në këta 20 vjet, të tjerët si “Skënderbeun e dytë”.

Bashkëkohësit e tij, normalisht që janë pjesërisht objektivë në ato që do t’i njihen atij si merita, për aq sa ka dhe bëmat dhe mëkatet sërish për aq sa ka, apo që mund t’i dalin, kur shumë gjëra do të jenë përfundimisht të deklasifikuara.

Si një i vdekur politikisht, por ende i pakallur, si i degraduar, ose më saktë i zhgraduar nga kryeministër në deputet i thjeshtë, çuditërisht dhe ironikisht, nëse ai do të vazhdojë të ndikojë apo përcaktojë lëvizjet politike të opozitës së re, publikisht në cilësinë e deputetit, dhe pas kuintave në cilësinë e “The Godfather”-it demokrat, do të jetë pa mëdyshje një përgjegjësi e madhe politike dhe vendimtare për fatin e ardhshëm elektoral të krijesës së tij politike, Partisë Demokratike.

Fakti që një milion shqiptarë ishin kundër tij dhe asaj që ai përfaqëson politikisht, nisur nga vetëpranimi zyrtar i tij përmes aktit të dorëheqjes, edhe pse në pamje jo shumë i sinqertë dhe me lot krokodili, në një sistem normal të funksionimit demokratik të çdo force politike, është prova më autentike, që do duhet të nxiste reflektim.

Së pari, nga ai vetë, dhe më pas, nga shtëpia e tij politike, nëse do të duhet që të mbijetojë dhe ringrihet nga humnera elektorale.

Fatkeqësisht, e vërteta e hidhur e tranzicionit shqiptar është se mentaliteti i kultit të individit nuk arriti të modifikohej shterueshëm.

Sistemi demokratik shqiptar, edhe pse i brishtë, ofroi shumë beteja elektorale në këto dy dekada, ku humbjet për Berishën ishin konstante, e megjithatë, mbijetesa e liderit, përmes makinacionesh malinje, shfrytëzim cenesh të arkivuara nga e kaluara, apo pisllëqesh të toleruara apo projektuara qëllimisht nga e tashmja dhe qeverisja, bën që lideri protagonist të kishte luksin e lëvizjes së të gjitha fijeve, që ende nuk janë prerë, të kukullave politike me të cilat bënte teatër politik.

Në shoqëritë e tjera demokratike postkomuniste në Lindjen europiane, përmes procesit selektiv demokratik apo edhe atij natyror, homologët historikë të Berishës “kanë shkuar me pushime në Polin e Jugut”.

Shumë më të rinj se ai në moshë fizike dhe CV të ngjashme politike, janë adoptuar politikisht apo institucionalisht, përmes karrierash të tjera publike, jo domosdoshmërisht të mirëfillta politike.

Dikush i ka hyrë konsulencës politike, aq sa mund të jepet ajo nga rishtarë pa eksperiencë të gjatë demokratike, dikush konsulencës profesionale. Dikush tjetër ka ruajtur imazhin e “babait shpirtëror” politik apo ideologjik, e dikush ka menduar për dinjitetin dhe staturën politike. Ndonjë tjetër edhe i ka hyrë biznesit, e ca të tjerë edhe hedonizmit geriatrik.

Edhe Berisha i ka përpara opsione të këtilla, edhe pse ka jo pak që do të donin të aplikonin drejtësinë me të jashtë sistemit, aq sa edhe brenda tij.

Në një rast tipik bumerangu, posti i deputetit nuk e mbron as atë, e askënd tjetër ndaj çdo ndjekje eventuale apo hetim penal. Por me sa nuhatet, as që ka oreks për harxhime të tilla energjish politike, për të ringjallur për së dyti një të vdekur klinik politik.

Sfida më e madhe mbetet në oborrin e tij partiak, nga asociimi i rrezikshëm i tij me një PD tjetër dhe dëshira e publikuar për të ndryshuar dhe për të hapur një kapitull të ri në librin historik të kësaj force politike, që ka nevojë të riformohet dhe riformatohet, për t’u përballur me kuaj të rinj politikë, në moshë dhe ambicie të pafshehura pushteti afatgjatë.

Një Berishë i tërhequr politikisht, dhe mbi të gjitha publikisht, me një frekuentim parlamentar alla Fatos Nano, sa për të justifikuar rrogën e deputetit, të cilën mund ta jepte edhe për bamirësi tek e fundit, pasi s’ka nevojë jetike për të, do ishte kontributi më i madh dhe i fundit, që do t’i bënte PD-së, për t’i rikthyer respektin dhe adhurimin, që të tijtë kanë për të si lider historik.

Kjo do të ishte edhe ndihmesa më e madhe, që ai mund t’i japë rikuperimit të imazhit dhe besimit, që shqiptarët politikë “gri”, pse jo dhe ata “blu”, të mund të bënin paskëtaj diferencën në betejën e ardhshme elektorale.

E kundërta do të ishte litari i lënë jashtë për PD-në, në radhë të parë, por edhe për Shqipërinë demokratike, me një opozitë të pabesueshme dhe të parinovuar, peng e nostalgjisë dhe paaftësisë për t’u shkëputur nga hija e të parit udhëheqës të saj.

Distancimin aparent politik, Berisha ia ka borxh PD-së, ndërsa mosdistancimin nuk ia ka për borxh as pasardhësi i tij dhe as demokratët shqiptarë, që tentojnë ringritjen dhe shkëlqimin pas rënies së kësaj vere përvëluese politike për ta.

Top Channel