Përballja me Islandën

08/09/2013 19:55

Humbja me Slloveninë tashmë ka kaluar dhe trajneri i kombëtares shqiptare, Gianni de Biasi, ka filluar të mendojë se si duhet të fitojë me Islandën, e vetmja mënyrë për të mbajtur gjallë shpresat për kualifikim.

“Më vjen keq, që kemi humbur një ndeshje, të cilën duhej ta kishim fituar. Gjithsesi, tani më duhet të bëj skemat në kokën time, se si duhet të luajmë në Islandë. Rezultatet e ndeshjeve të fundit kanë lënë të hapur gjithçka në këtë grup. Mundësitë janë të barabarta. Ne duhet të bëjmë tonën dhe këtë duhet ta tregojmë që në Islandë”, tha trajneri italian De Biasi.

Prania e shumë tifozëve në Slloveni, e shtyu trajnerin De Biasi të deklaronte se ajo ishte një humbje në shtëpi.

“Mund t’iu them një batutë? Më vjen keq, që humbëm ndeshjen në shtëpi. Kjo është ajo që më shqetëson më shumë”, deklaroi De Biasi.

Rreth 5 mijë tifozë shqiptarë kishin ardhur në Ljubljanë nga e gjithë Europa. Ata pohuan se do të bëjnë maksimumin për të qenë në Brazil, mjafton që kuqezinjtë e De Biasi-t të shkojnë në botëror.

Top Channel