Olimpiada 2020 do të organizohet në Tokio

08/09/2013 00:00

Tokio përmbushi parashikimet dhe do të organizojë Lojërat Olimpike 2020 pasi mposhti në votimin final Stambollin 60 me 36, ndërsa kundër të gjitha parashikimeve Madridi u eliminua që në votimin e parë.

Në Buenos Aires të Argjentinës, Komiteti Olimpik Ndërkombëtar ka zgjedhur kryeqytetin e Japonisë për të organizuar një tjetër Olimpiadë pas asaj të vitit 1964.

Tragjedia e Fukushimës dy vite më parë bënte që kandidatura e Tokios të dukej shumë e guximshme, por kryeministri Shinzo Abe kishte thënë pas kandidimit se Tokio ishte një nga qytetet më të sigurta në botë.

“Tokio është një nga qytetet më të sigurta në botë. Është tani dhe do të jetë edhe në vitin 2020. Atyre që shqetësohen për Fukushimën, i them se situata është nën kontroll.”

Projekti fitues ndoshta ishte ai që lidhej me respektimin e ambientit, me një stadium olimpik që furnizohet me energji diellore. Do të jetë një impiant 80 mijë vendësh dhe do të kompletohet në vitin 2018, në kohë për botërorin e regbisë që do të organizohet në Japoni në vitin 2019.

Top Channel