Alonso i kënaqur me podiumin

08/09/2013 22:00

Fernando Alonso ndihet i lumtur, edhe pse në Monza nuk arriti të fitonte, ashtu siç do të donin të gjithë te Ferrari. “Ishte e vështirë, – shpjegoi spanjolli. – Nisja ishte e mirë, makina dhe gomat përgjigjeshin shumë mirë. Problem ishte vetëm parakalimi i Webber dhe Massa-s, ndërkohë që me Vettel nuk mund të ngushtoja diferencat. Në këtë fazë të sezonit nuk kam asgjë për të humbur, kështu që duhet të marr përsipër rreziqe. E bëra këtë në Itali dhe eci gjithçka mirë”.

Nga ana e tij, Felippe Massa ka përshëndetur zyrtarisht tifozët e Ferrari-t, teksa pritet vetëm shpallja e largimit përfundimtar nga “kokëkuqja” për t’i  lënë vendin Raikkonen-it. “Çfarë mund të ndodhë, do të ndodhë. Ka qenë një garë e rëndësishme për të ardhmen time, por kjo nuk do të thotë se e ardhmja do të jetë gjithnjë e lidhur me këtë skuderi”, njoftoi Massa.
 
Klasifikimi tregon se Leëis Hamilton dhe Kimi Raikkonen kanë qenë të dështuarit më të mëdhenj të Monza-s, edhe pse anglezi me Mercedes ka zhvilluar një garë të madhe me parakalime të shumta, duke përfunduar i 9-ti. “Dhashë gjithçka, por ishte një fundjavë për t’u harruar. Botërori tashmë ka marrë fund”, komentoi Hamilton.

I mbetur jashtë zonës së pikëve, finlandezi Raikkonen gjen “ngushëllim” duke folur për të ardhmen e tij: “Nëse do të rikthehem vitin tjetër në Monza duke pilotuar një Ferrari? Do të shohim”.

Top Channel