Andrea Stefani – Edhe pak ditë dhe do kemi një qeveri të re, si dhe një
Parlament me një konfigurim të ri. Ata që deri dje ishin shumicë, do
jenë pakicë dhe e kundërta.
Po si do të shkojnë punët? A do vazhdojë konflikti, mosmarrëveshja politike? – shqetësohen jo pak shqiptarë. Kam frikë se konfigurimi i ri do jetë i vështirë që të shoqërohet me një përmbajtje të re. Veçanërisht për sa i përket marrëdhënies mes dy kampeve kryesore politike, pushtetit dhe opozitës. Me shumë gjasa do të kemi po atë konflikt të stërvjetër mes së “majtës” dhe së “djathtës”. Shqipëria vuan nga ato që mund të quhen të kundërta të fiksuara. Ndryshimi i pushtetit, si dialektikë e politikës, nuk sjell kontradikta të reja. Ky stanjacion lidhet me faktin se disfata e 23 qershorit nuk u shoqërua me një zëvendësim real të lidershipit në PD si dhe me një kritikë të politikës së ndjekur nga qeveria “Berisha”. Disfata e Berishës nuk u shoqërua me kritikën e Berishës. Përkundrazi iu thurën lavde kultit të tij. Si kurrkund në Perëndim, lideri humbës u shpall triumfator. Kulti i individit triumfoi mbi faktin dhe arsyen! Për disfatën e thellë u dhanë lloj-lloj justifikimesh, u fajësua elektorati, shqiptarët, se nuk e paskan perceptuar “mrekullinë” e qeverisjes berishiste apo u akuzua opozita për blerje votash. Me justifikimin e disfatës dhe glorifikimin e kultit të Sali Berishës si lider i pakonkurrueshëm dhe i pazëvendësueshëm (a nuk u tha edhe për Enverin tamam kështu?) na është bërë e qartë se PD do të ecë në gjurmët e Berishës, se do të jetë Berisha që, pavarësisht nga zgjedhja e debatuar e Lulzim Bashës, do të jetë lideri faktik i PD si këtu e 23 vjet. Dhe këto 23 vjet kanë provuar, katërcipërisht, se Berisha është një politikan konfliktual. Vetëm kaq mjafton për të “nuhatur” se ajo që do mbizotërojë në jetën parlamentare dhe politike në përgjithësi, nuk do të jetë marrëveshja, por mosmarrëveshja.
***
Shqipëria do ketë një qeveri të re, po një opozitë të vjetër, të stërparë. Kreu i saj do të jetë në sallë. Madje shumë aktiv duke punuar fort, 24 orë në 24 orë, për konfliktualitetin. Siç edhe ka premtuar. Sepse kreu i opozitës nuk është Lulzim Basha por Sali Berisha. Ose, po të risjellim në mend sloganin e një spoti elektoral të PS në zgjedhjet e vitit 2009, “Basha është Berisha”! Shkurt, Berisha mbetet thelbi i opozitës, ndërsa Basha është thjesht një… kostum. Të mos perceptosh kaq gjë, do të thotë të mos dallosh thelbin nga dukja pra, ta hash sapunin për djathë! Fytyra e opozitës do jetë ajo e plakur e Sali Berishës, që ende pa lënë karrigen e kryeministrit po lëshon mallkime dhe, si një Kasandër ndjellazezë, parathotë më të keqen për të nesërmen. Merr poza prej Nostradamosi dhe e bën të sigurt se ekonomia do zhytet në krizë. Nga i buron kjo siguri? Nga fakti se e di mirë që ka bërë gjithçka që ekonomia të zhytet në krizë. Si përherë fajet, mëkatet dhe krimet e veta ia hedh kundërshtarit. Mjafton të lexosh shifrat e borxhit publik për të kuptuar se Berisha gjithçka me të cilën mburret, e ka bërë me para borxh, duke e lënë ekonominë jashtë shinave të prodhimit. Si një baba plëngprishës që i rrit fëmijët me para borxh, duke i lënë trashëgim barrën e shlyerjes së borxheve të babait kur të rriten. Pavarësisht mashtrimeve statistikore dhe vetëlavdërimeve të Berishës, ekonomia shqiptare ka kohë që po zhytet në llumin e krizës. Qeverisë “Rama” i duhen përpjekje titanike për ta nxjerrë nga ky batak. Dhe ishin pikërisht dhimbjet e krizës, varfëria dhe papunësia kronike, një nga faktorët më me peshë që i nxitën shqiptarët ta kundërvotojnë masivisht këtë autokrat fjalëshumë dhe punëpak.
***
Duke njohur në rrënjë psikologjinë e politikanit Berisha, nuk besoj fare se mund të lindë mes palëve një frymë bashkëpunimi në funksion të integrimit. Kam mbrojtur gjithnjë pikëpamjen e Sali Berisha është një politikan me prirje karakteriale të theksuara autokratike, me patologji të pakurueshme për pushtet pa fund. Në kuptimin politik, pasioni i tij nuk është Oksidenti, por Orienti. Edhe në 8 vjet të qëndrimit në pushtet, Berisha nuk bëri gjë tjetër veçse u përpoq që mungesën e vullnetit për të europianizuar Shqipërinë, ta maskojë me gjoja kundërshtimin e opozitës për miratimin e tri ligjeve. Në fakt, opozita bëri mirë që nuk i miratoi tri ligjet kur ia desh qejfi Berishës, sepse ato ishin pikërisht një retushim i regjimit absolutist që ai po krijonte duke kapur të gjithë pushtetet. Edhe po të miratoheshin ato tri ligje, integrimi nuk do vinte sikundër edhe nuk ka ardhur akoma tani që ato janë miratuar. Dhe nuk do të vijë nëse shteti ligjor nuk do ndëshkojë “të paprekshmit” e korrupsionit në qeverinë “Berisha” që po ikën. Integrimi nuk do të vijë kurrë, jo 3 por 300 ligje të miratohen, nëse nuk krijohet një shtet i aftë të ndëshkojë edhe Zotin vetë, nëse shkel ligjin! Të shpresosh se Berisha do punojë për integrimin, do të thotë të shpresosh se jo vetëm se një autokrat është i pranueshëm për Europën por edhe se Europa, shteti ligjor, ndëshkimi i korrupsionit mund të jenë të pranueshëm për autokratin e korruptuar! Edhe ndërkombëtarët duhet ta mbajnë parasysh këtë faktor, kur i bëjnë thirrje qeverisë të sillet mirë dhe me tolerancë me opozitën. Kam përshtypjen se duhet të fokusohen më shumë tek solucioni i një situate kur do të jetë opozita ajo që do të shfaqë arrogancë ekstreme dhe të patolerueshme ndaj qeverisë. Një nga rrafshet e konfliktit të afërm do të jetë, çdo orvatje e qeverisë “Rama” për të ndëshkuar korrupsionin me brirë të qeverisë në ikje. S’ka asnjë dyshim se Berisha do mobilizojë fanatikët e tij në PD, për ta ekspozuar luftën kundër korrupsionit si revansh politik. Por Shqipëria nuk mund të vazhdojë të heqë dorë nga lufta kundër kancerit të korrupsionit që po rrënon shtetin, për hatër të “stabilitetit politik” me të cilin ka 23 vjet që Berisha shantazhon shqiptarë e ndërkombëtarë. Demokracia, shteti ligjor, nuk mund të tolerojnë ato që janë të patolerueshme për të, pa dënuar veten me vdekje. Sepse, në fund të fundit, destabilizuesi më i qëndrueshëm dhe më afatgjatë i demokracisë dhe shtetit ligjor është korrupsioni i pandëshkuar që rritet e fryhet si një bollë, duke i shtrënguar fort e më fort derisa jua merr shpirtin. Bashkëpunimi për integrimin nuk mund të bëhet me antieuropianin dhe nacionalistin vulgar e populist Berisha. Bashkëpunimi vjen vetëm nëse PD dhe e djathta reformohen duke u shndërruar në forca që aspirojnë jo një regjim politik autokratik, retushuar me fraza demokratike, por një shtet demokratiko-liberal, me ndarje pushtetesh dhe ku sundon ligji. Por kjo nuk mund të ndodhë nëse në gjirin e së djathtës nuk do të dalin forca të afta që ta lënë, sikundër thosh Migjeni, plakun në shenjtninë e tij.
Gazeta “Shqip”
Top Channel