Monza, Vettel i pari në prova

07/09/2013 00:00

Sebastian Vettel është i pakapshëm nga të gjithë dhe këtë gjë e konffirmoi në provat zyrtare të Çmimit të Madh të Italisë.

Gjermani i “Red Bull” ka arritur të marrë pole positionin ne Monza, i katërti për të në këtë sezon, pasi e ndali kronometrin në kohën 1 minut, 23 sekonda e 775 të mijtat.

Në vendin e dytë u rendit piloti i tjetër i “Red Bull”, Mark Weber, i cili kishte regjistruar një kohë e cila ishte 113 të mijtat, ndërkohë që befasoi të gjtihë gjermani Hulkenberg, i cili u rendit në vendin e tretë me një kohë rreth 3 të dhjetat më të ngadaltë sesa ajo e gjermanit tjetër.

“Ferrari” tregoi sërish se e ka të vështirë të regjistrojë xhiro më të shpejta se rivalët kampionë të botës. Pilotët e kokëkuqes gjenden në vendin e katërt dhe të pestë, me Felipe Massa që u rendit përpara pilotit spanjoll Fernando Alonso.

Paraqitje të mirë bënë edhe pilotët e skuadrës “Toro Rosso”, si Riccardo ashtu edhe Vergne arritën të kualifikoheshin mes 10 më të shpejtëve të provave zyrtare.

Mes grupit zhgënjyes ishin Kimi Raikkonen dhe Lewis Hamilton, të cilët nuk arritën as të kualifikoheshin për në minisesionin e tretë. Finlandezi i “Lotus” do ta startojë garën nga vendi i 11-të, ndërsa Hamilton nga i 12-ti.

Gjithçka duket spektakolare në prag të një prej garave më të famshme të kalendarit të Formulës 1, emocionet e së cilës do t’i ndiqni të dielën drejtpërdrejtë në Top Channel, duke filluar nga ora 13:00.

Top Channel