
PS për herë të parë pas zgjedhjeve të 23 qershorit, zhvilloi mbledhjen e
grupit parlamentar, të cilën kryesocialisti Edi Rama e quajti një
moment krejt të veçantë dhe solemn për të gjithë.
Rama i kërkoi grupit parlamentar mos të harrojë për asnjë moment, në fushëbetejen parlamentare, misionin e besuar prej sovranit, ndalimin e rrënimit dhe rilindjen e Shqipërisë.
“Le të mos harrojë asnjë ndër ne, se kush dhe pse na e ka dhënë besimin e madh. Asnjë ndër ne të mos e ngatërrojë asnjëherë detyrën e vet me pushtetin e popullit. Detyra është e jona, pushteti është i zgjedhësve, i të gjithë zgjedhësve, jo vetëm i atyre që votuan masivisht Aleancën për Shqipërine Europiane. Secili prej nesh lypset ta meritojë përditë, mandatin e vet parlamentar ose qeverisës, pa harruar asnjë zotim të dhënë para popullit, pa harruar asnjë plagë dhe asnjë dhimbje të ndeshur mes njerëzve në rrugëtimin e mundimshëm të fitores”, tha kreu socialist.
Rama kujtoi librin e trashë të marrëzisë, sipas tij, që po lënë pas të humburit, në mënyrë qe të mos bien në të njëjtin batak.
“Ndëshkimi popullor i 23 qershorit për ato sjellje vulgare dhe veprime brutale ishte njëherësh urdhëri i popullit sovran për ne. Mos bëni si këta, nëse nuk doni të ndëshkoheni edhe më keq se këta. Ky është një urdhër që nuk diskutohet, por vetëm zbatohet dhe ky grup duhet të vigjilojë që askush të mos e thyejë këtë urdhër, por gjithëkush ta zbatojë me besnikëri shembullore ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve”, theksoi Rama.
Pasi kërkoi hapjen e zyrës së deputetit në çdo qark Edi Rama i përcolli një paralajmërim të fortë deputetëve të maxhorancës së re qeverisëve për administratën dhe punësimet.
“Asnjë lidhje e shkurtër miqësore apo klienteliste nuk duhet t’i vendoset lidhje organike institucionale të Qeverisë me grupin parlamentar të çdo ministri apo deputeti. Duhet t’u gjejmë punëve të vendit njerëzit e duhur, jo miqve dhe kushërinjve t’u gjejmë pune në dëm të punëve të vendit dhe të njerëzve të këtij vendi. Nepozitmi nuk duhet në asnjë mënyrë të gjejë rrugë për të prekur dhe dëmtuar organizmin e kësaj shumicë të re qeverisëse. Në asnjë institucion nuk mund të ketë më bashkëshortë dhe kushërinj të parë që marrin rrogën në të njëjtën bordero. Ndërsa për kë do të guxojë të marrë para për të shitur një vend pune, ne duhet të kërkojmë deri në fund dënimin penal maksimal”, tha Rama.
E që shpresa e shqiptarëve të mos ia lërë vendin rrënimit, Edi Rama deklaroi se ai, Qeveria e tij, paçka se kanë aprovimin e 70 për qind të shqiptarëve sipas një sondazhi, ndodhen përballë një prove që lidhet me sjelljen e gjithësecilit.
“Do t’ia dalim që të punojmë me përkushtimin më të madh dhe me profesionalizmin më të lartë që ky vend ka njohur në këto 20 vjet, për të skontuar një e nga një të gjitha zotimet tona, prej të cilave ne nuk do të lëvizim në asnjë pikë”, tha Rama.
Gjatë paradites së të premtes Partia Socialiste mblodhi edhe kryesinë ku unanimisht u vendos që Gramoz Ruçi të jetë kryetar i grupit parlamentar. Sakaq Edi Rama u parashtroi deputetëve qëndrimin e zotit Ruçi që kandidatura e tij për kryetar grupi të votohet prej tyre.
Top Channel