F1, Vettel: Në Monza për të fituar

06/09/2013 12:20

Kryesuesi i renditjes botërore të Formulës 1, Sebastian Vettel, mbetet njeriu për t’u mundur edhe në Monza, ku pavarësisht presionit, gjermani është i sigurt në mundësinë e një suksesi të ri.

”Sa herë që jam në Monza, më vjen në mendje kujtimi i veçantë i suksesit tim të parë në vitin 2008, kur garoja ende me Toro Rosson. Ishte një gëzim i jashtëzakonshëm dhe tërësisht i papritur. Përveç podiumit, ndieva edhe një përkrahje të madhe të njerëzve (garonte në një makinë që furnizohet me motorë Ferrari”). Në fitoren e vitit 2011, pritja ishte e ndryshme, por Button, i cili ishte në podium me mua më kishte paralajmëruar që kjo do të ndodhte nëse nuk vesh tutën e kuqe”, u rikthye në kujtime Vettel.

Duke u rikthyer tek aktualiteti, kampioni i trefishtë i botës beson që ka arsye për të besuar tek një fitore e re. “Në Kanada dhe Belgjikë, dy pista me një ngarkesë mesatare të ngjashme me atë të Monzës, kemi regjistruar të mira në këtë sezon dhe kemi besim përpara kësaj gare, edhe pse ngarkesa aerodinamike do të jetë e reduktuar. Është e qartë që nisem me synimin e fitores edhe në këtë garë”.

Top Channel