F1, Massa: Shpresoj të vazhdoj tek Ferrari

06/09/2013 12:40

Piloti i dytë i Ferrarit, Felipe Massa, beson se mund të vazhdojë të qëndrojë në këtë skuadër edhe pas sezonit aktual.

I pyetur se çfarë duhet të bëjë për të mbetur ende “gregari” i Alonsos në skuadrën legjendare italiane, braziliani tha: “Duhet të arrij rezultate të mirë. Kjo është ajo që ka me të vërtetë rëndësi dhe do të përqendrohem vetëm tek forma ime. Kam një shans të madh për të vazhduar tek Ferrari, kështu që më duhet vetëm të përqendrohem, të përpiqem të bëj gjërat sa më mirë dhe të tentoj edhe më shumë. Kur do të marr vesh se çfarë do të bëhet me mua? Pyesni Domenicalin”.

”Mendoj se rendimenti im i sivjetshëm ka qenë i mirë në të gjithë garat, edhe pse në ndonjë prej tyre, për shkak të rrethanave, nuk kemi arritur të marrë rezultatet e dëshiruara. Përshembull, kam pasur probleme me gomat dhe gjëra të ndryshme ndodhën në Nyrburgring e Monako. Megjithatë, në garat pa probleme rezultatet kanë qenë të mira”, vlerësoi Massa.

Ndonëse mundësia që Massa të vazhdojë të mbetet tek “kokëkuqja” nuk është për t’u përjashtuar, së fundmi qarkullojnë gjithmonë e më shumë zëra të një rikthimi të mundshëm të Raikkonen, sidomos pas refuzimit të prerë nga ana e Button.

”Nuk kam firmosur ende, por ndihem shumë i lumtur këtu. Ky vit nuk është i mirë, por jam i sigurt që tjetri do të jetë krejt ndryshe”, komentoi Button.

Top Channel