F1, Alonso: Lë pas Vettelin në këto dy gara

06/09/2013 12:00

Fernando Alonso nuk është ende gati që të dorëzohet në luftën për titullin kampion në Botërorin e Formulës 1.

Piloti i Ferrarit, pas vendit të dytë të arritur në Çmimin e Madh të Belgjikës, besimplotë në përparimin e makinës së tij në këto dy javë, është i bindur në mundësinë e ndryshimit të fatit të këtij sezonit në dy garat e ardhshme, këtë të dielë në Monza dhe pas saj në Singapor.

”Objektivi real është të përfundoj përpara Vettel në dy garat e ardhshme. Me këtë dua të them që synoj fitoren ose minimumi podiumi, duke lënë pas rivalin kryesor”, tha Alonso.

”E vërteta është që jam optimist. Në Belgjikë treguam shenja të dukshme përmirësimi, edhe pse vetëm pas Singaporit, që është një pistë me karakteristika krejtësisht të tjera, do të jemi në gjendje të përcaktojmë se sa jemi përmirësuar me të vërtetë”, shtoi spanjolli.

Alonso komentoi edhe kalimin e Ricciardos në sezonin e ardhshëm tek Red Bulli. “Mendoj që Ricciardo është një zgjedhje e mirë për Red Bullin dhe shpresoj shumë që Carl Sainz të kalojë tek Toro Rosso pas kësaj”, tha piloti i Ferrarit, duke iu referuar të riut premtues të “Renault 3.5”.

Top Channel