Kur Neymar firmoste për Realin

05/09/2013 00:00

Të dielën e 26 marsit 2006, Real Madrid fitoi 4-0 ndaj Deportivo La Coruna. Atë ditë, në tribunën VIP të stadiumit “Santiago Bernabeu” ishte një djalosh 14-vjeçar i cili po provohej tek grupmoshat e ekipit madrilen. Tre ditë më vonë, ky futbollist firmosi me ekipin “infantil” të Realit.

Bëhet fjalë për Neymar da Silva Santos Junior, sot lojtar i Barcelonës.

Reali e dërgoi kontratën në Federatën Madrilene të Futbollit më 30 mars të vitit 2006 dhe gazeta ‘AS’ ka publikuar këtë dokument që vërteton se Neymar ka qenë në pronësi të gjigandëve spanjollë kur ende nuk njihej nga askush.

Braziliani u stërvit për 2 javë në Valdebebas (qendra stërvitore e Realit) dhe tërhoqi vëmendjen e të gjithëve. Ai luajti në të njëjtin ekip me Dani Carvajal, i cili sot është i preferuari i Ancelotti për krahun e djathtë të mbrojtjes.

Neymar nuk qëndroi tek Reali vetëm sepse klubi nuk donte të paguante 60 mijë euro për një 14-vjeçar. Në atë kohë, president i Realit ishte Fernando Martin, i cili kishte zëvendësuar Florentino Perez.

Tashmë Neymar ka nënshkruar për Barcelonën dhe do të përpiqet të tregojë se madrilenët kanë bërë gabim që kanë kursyer pikërisht tek ai.

Top Channel