Fondi Monetar Ndërkombëtar ka aprovuar huanë prej 6,7 miliardë dollarë kundrejt Pakistanit, në vazhdën e krizës së vazhdueshme ekonomike të këtij vendi.
Huaja do të paguhet përgjatë 3 viteve, duke nisur me dhënien e 540 milionë dollarëve fillimisht, por jepet e shoqëruar me kushte të forta.
Qeveria duhet të miratojë reformat për një rritje ekonomike më të lartë, uljen e defiçitit buxhetor dhe përmirësimin e normës së mbledhjes së taksave. Pakistani i detyrohej deri më tani FMN-së afro 5 miliardë dollarë, prej huave të marra më herët.
Vendi aziatik kishte përfituar nga huatë e FMN-së për herë të fundit 6 vjet më parë, por qeveria e atëhershme dështoi të vijonte me reformat e domosdoshme.
Ekonomia është rritur me një mesatare prej vetëm 3% në vit, që prej asaj kohe, një normë shumë e ulët po të krahasohet me rritjet e lartë e të shpejtë të popullsisë së saj.
Ndërkohë, defiçiti buxhetor mbetet ende i lartë, rezervat e huaja cash janë ulur dhe taksat përbëjnë vetëm 10% të Produktit të Brendshëm Bruto (GDP), një nga më të ultat në botë.
Bazuar mbi planet e reja, defiçiti mund të bjerë nga 9% e GDP-së, që ishte vitin e kaluar, në 3,5 apo 4% brenda 3 viteve, ndërsa norma e mbledhjes së taksave duhet të përmirësohet.
Gjithashtu, ka shpresa se reformat e sektorit të energjisë do të ndihmojnë në shmangien e mungesës së vazhdueshme të energjisë elektrike.
Top Channel