Superiore, Lushnja mund Kukësin

04/09/2013 23:40

Goli i të riut Trashi, në minutën e 54-t, ka vulosur fitoren befasuese të Lushnjes kundër nënkampionëve të Kukësit.

Në një atmosferë elektrizuese, në prani të afro 8 mijë shikuesve, lagunarët e rikthyer në Superiore pas katër vitesh janë shfaqur kompetitivë dhe të etur për sukses.

Fitorja merr vlera maksimale, pasi u arrit kundër një skuadre, që bëri histori me konkurimin në Europa League dhe që ishte një nga më të investuarat në merkaton e verës.

Gjatë 90 minutave, edhe kuksianët u përpoqën të tregonin vlerat e tyre, dhe ishin ata të cilët krijuan disa mundësi mjaft të mira për shënim.

Gjithashtu, edhe në fillimin e pjesës së dytë Kukësi pati dy mundësi mjaft të mira, por portieri Spaho nuk lejoi që rrjeta e portës së tij të prekej.

Pas rasteve të kuksianëve, vjen goli spektakolar i Trashit. Ky moment solli edhe zhvendosjen e lojës për të gjithë minutat e mbetura në gjysmëfushën lushnjare, megjithatë, manovrat e lojtarëve të Kukësit nuk dhanë rezultat.

Kjo ishte ndeshja përmbyllëse për javën e parë të kampionatit tonë, që e vendos Lushnjen në radhë me skuadrat kryesuese, ndërsa për Kukësin ambiciet maksimale duhet të presin javën e ardhshme.

Top Channel