Seuli: Jo Olimpiadës së përbashkët me Veriun

04/09/2013 20:00

Korea e Jugut refuzoi një ofertë të mbërritur nga fqinjët veriorë, për të bashkëorganizuar Lojrat Olimpike Dimërore të vitit 2018.

Komiteti Olimpik Ndërkombëtar ka shpallur më parë si fitues për organizimin e këtij edicioni të kandidaturës koreanojugore të Piongchangut, qytetit alpin ku ka nisur ndërtimi i infrastrukturës së përshtatshme.

Megjithatë, ditën e martë, në një intervistë për Zërin e Amerikës, një zyrtar koreanoverior tha se një resort skish që po ndërtohet në vendin komunist mund të përdoret për të pritur disa nga garat olimpike.

“Do të ishte e pamundur të bashkëorganizoheshin Lojrat Olimpike Dimërore, pasi rregullorja përcakton shprehimisht se të gjithë aktivitetet duhet të realizohen vetëm në qytetin të përcaktuar si organizator”, deklaroi Komiteti Organizues i Piongchangut.

“Për më tepër, fakti që kufiri koreanoverior është 300 kilometra nga Pionchangu, e bën të pamundur nga pikëpamja logjistike këtë zhvendosje”, shtoi një zëdhënës.

Top Channel