Kelmendi: 200% e përqendruar tek xhudoja

04/09/2013 00:00

Arti modern dhe lufta marciale xhudo u shpik për herë të parë në vitin 1882 në Japoni nga Jigoro Kano. Ndër shekuj ishin aziatikët që evoluan dhe kryesisht triumfuan në këtë lloj sporti.

Por, tashmë është Majlinda Kelmendi, vajza 22-vjeçare nga Kosova, e cila për herë të parë në historinë e sportit shqiptar rrëmben një medalje ari dhe kthehet në një kampione bote e xhudos.

Më 27 gusht të këtij viti, Majlinda Kelmendi shkruajti historinë. Mundi brazilianen Erika Miranda në peshën 52 kg, pikërisht në shtetin e saj.

Lajmi mrekulloi dhe bëri krenarë miliona shqiptarë në mbarë botën, ndërsa në Kosovë Majlinda u prit si një heroinë e vërtetë.

Ky titull ishte kurorëzimi i një pune të palodhur 13-vjeçare të saj dhe të trajnerit Driton Kuka, të cilët që nga viti 2000 punuan për këtë medalje. Palestra e xhudos që ishte vetëm pak hapa larg shtëpisë së Majlindës në Pejë, ishte dhe nxitja që e çoi atë drejt këtij sporti.

Vetëm dy javë pas regjistrimit në xhudo, trajneri e çoi në një kompeticion në Bosnje, moment kur ajo u dashurua pas xhudos.

Edhe pse ajo nuk mban mend numrin e medaljeve të fituara, Majlinda mbart në kujtesë medaljet e para të arit, atë si kampione Evrope për të rinjtë në vitin 2009 dhe një muaj më pas si kampione bote për të rinjtë, marrë në Paris.

Xhudo i zë pjesën më të madhe të kohës, por ajo nuk lë pas dore familjen, librat dhe shopingun në kohën e saj të lirë.

E ftuar në studion e emisionit ‘Pasdite në Top Channel’,
Kelmendi rikujtoi edhe një herë rrugën drejt medaljes së artë: “Shorti ishte i vështirë sepse kisha përballë garuese që nuk më përshtateshin. Në raundin e parë kisha një portugeze që më kishte mundur dy herë, ndërsa në të dytën një franceze që doli në vend të tretë në Olimpiadë. U mundova të jepja maksimumin garë pas gare dhe të shijoja botërorin.”

Majlinda Kelmendi kujton edhe një episod që i ka lënë mbresa menjëherë pas përfundimit të finales: “Kur fitova, publiku nisi të më vërshëllejë pasi normalisht kërkonte fitoren e brazilianes, Unë u ndjeva keq dhe kur e vuri re këtë gjë, kundërshtarja më përqafoi.”

Në lidhje me të ardhmen e saj, Kelmendi tha se mendon vetëm për xhudon: “Është e vështirë ta vazhdoj shkollën e lartë dhe sportin njëkohësisht. Nëse kërkon të kesh sukses në sport, duhet të angazhohesh në maksimum. Për momentin jam 200% me mendjen tek xhudoja dhe dua suksesin në Olimpiadë, nuk kam kohë për asgjë tjetër, as për dashurinë.”

Kelmendi sqaroi edhe se ka menduar të garojë për vende të tjera pasi ofertat e mira nuk i kanë munguar: “Kam pasur ofertë të mirë nga Azerbajxhani, por trajneri më ka ndaluar duke më thënë që nëse nuk do të gjenim përkrahje në Kosovë, ta pranoja. Në takimin me ministrin e Sportit, Memli Krasniqi, gjetëm një formë për bashkëpunim dhe jam e lumtur që gjërat shkuan kështu.”

Top Channel