Bolt: Rekordi i 100 metrave, i paprekshëm

04/09/2013 17:25

Rekormeni i botës në 100 dhe 200 metra, Usain Bolt e sheh si shumë të vështirë që të thyejë një ditë rekordin e tij prej 9.58 sekonda në 100 metra, por beson që mund të përmirësohet dhe të zbresë poshtë 19 sekondave në 200 metra.

“Nëse do të arrij që të shmang dëmtimet dhe të stërvitem si duhet për një periudhë intensive, kam besim që mund të vendos një rekord të ri në 200 metra”, deklaroi Bolti, i pyetur për objektivat e tij për sezonin e ardhshëm.

Megjithatë, fituesi i tre medaljeve të arta në Botërorin e Moskës në gusht 2013, e sheh shumë të vështirë që të arrijë të përmirësohet edhe në disiplinën “mbretëreshë”. “Do të jetë shumë e vështirë për mua që të vrapoj më shpejt se rekordi në 100 metra. Mendoj se kam dhënë praktikisht maksimumin e se nuk mbetet ende edhe shumë vend për përmirësim”, pranoi me sinqeritet xhamajkani.

Përsa i përket të ardhmes, 27-vjeçari ripërsëriti qëllimin për t’u tërhequr pas Lojrave Olimpike të Rio de Zhaneiros, pasi dëshiron që të largohet nga sporti sa është ende në majë, ndërsa përjashtoi kategorikisht mundësinë që të garojë në disiplina të tjera si 400 metrat.

Top Channel