Ramos: Nuk do ta kisha shitur kurrë Ozilin

03/09/2013 17:45

Largimi i Mesut Ozil tek Arsenali ka lënë të pakënaqur shumë tifozë të Realit të Madridit dhe midis tyre, edhe një prej futbollistëve më përfaqësues të klubit, Sergio Ramos.

Pas largimit të një prej miqve të tij më të mirë brenda ekipit, qendërmbrojtësi nuk e mbajti të fshehtë mosaprovimin e tij, ndërsa kritikoi ashpër vendimin e klubit dhe konkretisht, presidentit Florentino Perez.

“Me Ozil kam pasur gjithmonë një marrëdhënie të ngushtë dhe ndihem i mërzitur për largimin e tij. Reali ka humbur një futbollist të madh, unik në llojin e tij. Këto janë gjëra personale, Ozil mori një vendim, por nëse unë do të isha ai që drejton këtë klub, ai do të ishte midis të fundit që mund të largohej. Sidoqoftë, Reali vazhdon të jetë një ekip i madh, në gjendje që të fitojë gjithçka në këtë sezon”, deklaroi Ramos.

Duke qëndruar tek polemikat, 27-vjeçari komentoi edhe çështjen e portës, të diskutuar midis Casillas dhe Diego Lopez. “Është folur shumë për këtë, por nuk ka nevojë për një debat të tillë. Unë e njoh shumë mirë Ikerin dhe këto momente nuk janë të lehta për të. AI është mësuar që të jetë titullar prej vitesh. E mbështes Ikerin, por gjithashtu edhe Diego Lopezin, i cili është një portier i madh. Megjithatë, kryesorja këtu nuk janë emrat e përveçëm, por Reali i Madridit”, deklaroi Ramosi.

Top Channel