Tuberkulozi mendohej gjërësisht nga komuniteti i shkencëtarëve se është transportuar nga kafshët tek njeriu jo më larg se 10 mijë vite më parë.

Por një studim i ndërmarrë nga një grup shkencëtarësh ndërkombëtarë dhe i publikuar në revistën shkencore “Nature Genetics” rrëzon këtë pretendim të përgjithshëm dhe thotë se origjina e tuberkulozit tek njerëzit daton shumë më herët dhe se sëmundja është kaluar nga njerëzit tek kafshët dhe jo e anasjellta.

Shkencëtarët morën 256 raste tuberkulozi për të rindërtuar evolucionin e tij duke i krahasuar me origjinën e racës njerëzore në Afrikë.

“Në studimin tonë gjetëm se lidhjet e para mes tuberkulozit dhe njeriut kanë origjinën në të njëjtin vend, në Afrikë, rreth 70 mijë vite më parë. Puna jonë disa-vjeçare prodhoi një hipotezë të fortë që përforcon idenë se tuberkulozi është shfaqur fillimisht tek njeriu dhe më pas ka emigruar tek kafshët gjatë Tranzicionit Demografik të Neolitit”, deklaroi profesori zviceran, Sebastian Gagneux.

Pyetja që ngrenë shumë studiues është ajo se si ka mundur virusi i tuberkulozit të mbijetojë para 60 mijë vitesh në grupe të vogla njerëzish?

Përgjigjja është se tuberkulozi nuk është si sëmundjet e tjera. Virusi mund të qendrojë për vite me radhë i fshehur në organizmin njerëzor pa dhënë asnjë simptomë dhe riaktivizohet në periudha të caktuara.

“Nëse janë shumë pak njerëz për të infektuar, s’ka kuptim që t’i vrasësh sepse me këtë rrezikon të vrasësh edhe veten. Menjëherë sapo popullsia njerëzore filloi të rritej dhe të shpërndahej, edhe tuberkulozi nisi të shpërndahej duke u treguar më shumë agresiv”, thotë profesori zviceran.

Sipas tij, para, gjatë dhe pas Tranzicionit Demografik të Neolitit, tuberkulozi u bë më shumë aktiv dhe nisi të përhapej më shpesh dhe më shpejt.

Grupi i studiuesve thotë se faza e dytë e studimit është përdorimi i informacionit gjenetik për të kuptuar mekanizmin e aktivizimit dhe çaktivizimit të tuberkulozit.

Edhe sot, tuberkulozi mbetet një ndër sëmundjet më kërcënuese të njerëzimit. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, kjo sëmundje vret të rreth 1.4 milion njerëz çdo vit, pjesa më e madhe e të cilëve në vendet e varfëra.

Top Channel