Të gjitha mundësitë e hapura

02/09/2013 23:45

Agon Mehmeti është risia e listës prej 28 futbollistësh, që trajneri i kombëtares shqiptare, Gianni de Biasi, ka kërkuar të ketë në dispozicion, për dy ndeshjet e radhës së eleminatoreve të Botërorit “Brazil 2014”.

Por, pritet konfirmimi i FIFA-s, që sulmuesi 23-vjeçar të veshë fanelën kuqezi, që në takimin me Slloveninë, pasi Mehmeti ka luajtur më parë me përfaqësuesen U21 të Suedisë. Tekniku italian nuk ka preferuar të flasë për zgjedhjet e tij, por ka pohuar se ka besim te grupi i lojtarëve, të cilët mund t’i fitojnë të dyja ndeshjet.

“Unë besoj se të gjithë skuadrat e tjera, përveç Zvicrës, janë në të njëjtin nivel, ku edhe mund të fitosh, edhe mund të humbasësh. Çdo gjë ndahet në fije të perit dhe gjëra shumë të vogla do të bëjnë diferencën. Mendoj se ekipi është përmirësuar shumë, ka fituar personalitet në fushë, arrin të menaxhojë situata të vështira gjatë ndeshjes dhe besoj se është në gjendje për të përballuar një kundërshtar shumë të fortë, siç është Sllovenia. Ne do të kërkojmë të marrim maksimumin nga çdo ndeshje dhe e kemi mundësinë ta bëjmë”, tha De Biasi.

Rëndësia e këtyre dy ndeshjeve, të cilat mund të na afrojnë më shumë me Botërorin “Brazil 2014”, e kanë detyruar trajnerin të shtyjë për një datë tjetër bisedimet me presidentin e FSHF-së, Armand Duka, për të ardhmen e tij në këtë përfaqësuese.

Top Channel