Ndue Dedaj – Të gjithë e kanë vënë re, këto dy vitet e fundit, rendjen e
liderëve tanë politikë pas rrjeteve sociale, kush të ketë më shumë miq
në “Facebook”, kush të ligjërojë më fort në “Twitter”, prononcime kinse
politike, konferenca shtypi online, reagime për çështje të rëndësishme a
të lehta të politikës etj.
Duket se tashmë mbreti i informacionit pikant është komunikimi pa publik, pa njerëz, por vetëm me ekranin, tastierën e kompjuterit, “Skype”-n. Jo më njerëz përpara, ata të rrinë larg! Na bezdisin. Edhe mitingjet mbase një ditë do të zhvillohen online. Edhe hallet e njerëzve do të zgjidhen online. Aq fort ka marrë udhë kjo “media” e gjithkujt, sa dhe media tradicionale nuk e ka për gjë t’i referohet vend e pa vend “Facebook”-ut, jo vetëm atij të Kryeministrit, apo “Tëitter”-it të shefit të opozitës (tani ata i kanë ndërruar rolet), por dhe atyre të deputetëve, duke i servirur reagimet e tyre personale si lajme për publikun. Habitesh kur në edicionin qendror të lajmeve, thuajse rregullisht “kapen” lajme nga “Facebook”-u i këtij apo atij deputeti. Kështu tha iks deputet në faqen e tij në internet e kështu reagoi ai tjetri përballë tij. Ky është me të vërtetë kulmi! Një deputet në “Facebook” ka folur për miqtë e tij dhe jo për publikun e gjerë, pra, pa pasur vlerën e lajmit, ajo çka ai ka shpërndarë përmes rrjetit social. Ndryshe do të ishte ngjitur në foltoren e partisë së tij, apo atë të Kuvendit për të kumtuar lajmin.
Lajmi për gazetarinë është i shenjtë dhe si i tillë nuk mund të fabrikohet kudo e nga gjithkush, nuk mund të “vilet” aty ku gjendet kollaj, pasi më e pakta në këtë rast ai është i njëanshëm. Lajmin e sendërton gazetari me mund, profesionalizëm, nga disa burime, sipas parimeve të shkencës së komunikimit dhe jo politikanët sipas qejfit, tjetër se këta të fundit duan ta shesin për lajm çfarë nxjerrin nga goja. Ka aq shumë këso lajmesh për (keq)përdorim politik, sa duket se po sfumojnë gazetarinë e vërtetë informative, të terrenit, investigative etj. Pas kësaj mundet që “partizanët” e këtij lloj komunikimi të nxitojnë të na kujtojnë se kjo është epoka moderne, kështu ka folur Barak Obama e kështu filan fisteku andej nga bota e qytetëruar. Kanë folur, natyrisht, edhe me anë të këtyre mjeteve, por jo aq sa për të eklipsuar format, mënyrat dhe mjetet e tjera të komunikimit, aq më tepër, duke e shitur sapunin për djathë, se kush ka më shumë miq në “Facebook”, ka dhe më shumë përkrahës në zgjedhje etj. Problemi nuk është aspak te rrjeti social si i tillë, por te manipulimi i tij për të përfituar kapital politik. Ndonjëherë dhe për t’i dëshmuar devocion të lartë shefit tënd, se ja, mua më ha meraku për partinë dhe në orët e vona, kur po bie të fle dhe s’rri dot pa ia thënë nja dy fjalë kundërshtarit politik dhe këtu nga shtrati. Analiza do të shkonte përtej marrëdhënieve të politikës dhe të mediave me publikun, duke nënvizuar fort marramendjen e gjithkujt pas rrjeteve sociale. Dhe kur kjo ndodh me qeveritarët, politikanët, VIP-at në përgjithësi, si të mos ndodhë me njerëzit e thjeshtë. Veçanërisht me fëmijët e etur për aventura gjithnurësh. Ku po vemë kështu? Çfarë është njeriu i sotëm, që duket se ka braktisur çdo gjë tradicionale? E keni vënë re, nxënësit bëjnë fotografi të pafundme, nëpër mbrëmjet e dëfrimit, ndonjëherë dhe me gjeste të tepërta, por ka filluar të mos ketë më polifoto të klasës, mbarimit të maturës, fakultetit etj. As stafet pedagogjike të shkollave, ato të bluzave të bardha, të ndërmarrjeve thuajse nuk bëjnë më foto kolektive, vetëm kur ka reklama te privatët shihen stafe të lumtura, me vajza e djem përherë të qeshur, sikur e bukura ka mbetur pronë vetëm e reklamave.
Të gjitha rendet që kanë ardhur, kanë synuar që ta modelojnë në mënyrën e tyre njeriun, që ai të jetë njeriu i ri i tyre. Dhe e gjitha kjo është bërë me strategji, projekte, programe, ideologji, aksione politike, revolucione. Tipik për këtë është regjimi komunist. Në njëqind vjet komunizëm në botë, ai farkëtoi këtë njeri, që dhe sot e shohim se çfarë ishte. Atëherë ishin pak mjete dhe mundësi në raport me të sotmen, ishte propaganda anti-e shkuar dhe letërsia e theksuar sociale, me romanin “Nëna” etj. Tani askush nuk dëshiron më t’i ngjajë Pavël Vllasovit, apo Lej Fenit, birit të mirë të popullit punonjës. Puna është se ky njeriu i ri i sotëm nuk modelohet më nga ideologjitë, por më së shumti nga teknologjia, rrjetet sociale, “Facebook” etj. Dhe nuk bën vetëm gjërat e mira teknologjia kësisoj, njohjet, miqësitë, marrjen e informacioneve, eksplorimin e botës online, por dhe krimin. Dy vajza pasi ishin zënë në “Facebook”, kushedi se për çfarë, kishin dalë në rrugë, ku njëra kishte pasur dhe një thikë, me të cilën kishte goditur tjetrën. Sigurisht që teknologjia nuk do të ndalet, por njeriu duhet të edukohet ta përdorë vetëm për mirë këtë vlerë të pazakontë të kohës së tij; shkolla ua mëson nxënësve kompjuterin, por lypet t’iu mësojë atyre dhe rreziqet që vijnë prej tij.
Ndërkohë njerëzit që nuk kanë “Facebook”, presin çdo mëngjes orën e zgjimit, për të kapur telefonin në emisionin e Bashkim Hoxhës, pasi aty ka një hapësirë televizive ku mund të flasin qytetarët. Por nuk qëllon asnjëherë ta ngrejë telefonin ndonjë nga VIP-at e politikës. Ata nuk janë pjesë e atij realitetit gri ku gjallojnë njerëzit në zgrip. Nuk janë qytetarë. Qytetarët janë njerëzit e thjeshtë që, ngaqë nuk kanë se ku të përplasen, zënë telefonin dhe i gërmushen prej aty politikës. Një dëgjues e pyet drejtuesin e emisionit nëse i mbante dikush shënim hallet e tyre dhe zoti Hoxha i përgjigjet: “Ata, zyrtarët, thonë se e nisin ditën me këto shqetësime që vijnë nga ekrani, por e sigurt është që i mbajnë shënim gazetarët tanë!”. Moderatori i njohur bën përpjekje që dëgjuesit të mos hallakaten pas gjerave të përgjithshme, por të thonë shkurtimisht dhe troç hallin e tyre, të mos bëjnë militantin, pasi ekrani është i qytetarit dhe jo i militantit, se marrja me politikë në emision është humbje kohe, se aty politika vjen përmes këndvështrimit qytetar dhe jo atij partiak e të tjera parime të shëndetshme për një media të vërtetë. Një media e lirë e serioze ka kuptim të rrahë këso çështjesh dhe jo t’iu bëjë fresk atyre politikëbërësve, që të gjithë shporët i drejtojnë për nga ara e vet.
Shpërdorimi i rrjeteve sociale, abuzimi me to, nuk është një problem vetëm shqiptar, ngjet dhe në botë, por ky nuk është një ngushëllim për ne. Vrasësi i nxënësve në Amerikë ishte frymëzuar nga Briku i Norvegjisë. Ka të rinj që imitojnë gangsterët, duke kryer veprime rrugaçore etj. Ashtu si për shumë adoleshentë “dashuria” e telenovelave merret si diçka e vërtetë. Ka, pra, aq vend për edukatorët, sociologët, psikologët, gazetarët, politikanët, vetë të rinjtë, të gjithë përdoruesit e teknologjisë së informacionit, për një sjellje më qytetare e të përgjegjshme ndaj botës virtuale, e cila, siç ka larminë dhe pafundësinë e shpalimit të gjenisë njerëzore, ka dhe sajesën, të deformuarën, imoralen, pavarësisht se me ç’emër e thërrasim ne me eufemizma të keqen.
Top Channel