Ibrahimoviç: Guardiola më kishte frikë

02/09/2013 18:30

Nuk është asnjë e re që Pep Guardiola dhe Zlatan Ibrahimoviç nuk kanë një marrëdhënie të mirë midis tyre.

Megjithatë, sulmuesi suedez rikthehet edhe një herë në kritika të ashpra ndaj ish-trajnerit të tij tek Barcelona, në një intervistë të dhënë për të përditshmen britanike “The Times”.

“Guardiola është një frikacak. Ai nuk është një burrë i vërtetë. Sa herë që unë hyja në dhomat e zhveshjes ai zhdukej. Ndërsa kur kryqëzonim shikimet, ai ulte kokën. Në ditët e mia të para tek Barcelona, ai më kishte frikë. Ai më tha që futbollistët e Barçës nuk drejtonin makina të shpejta dhe donte që unë të bëja një jetë të thjeshtë, por unë jam Zlatan, jam i veçantë e më pëlqen të jem origjinal e i ndryshëm”, deklaroi 31-vjeçari.

Përsa i përket marrëdhënies së tij me Messin dhe Iniestën, Ibrahimoviç mohoi të ketë pasur probleme me ta. “Nuk jam kuptuar ndonjëherë keq. Leo dhe Andres gjithmonë më kanë mahnitur, por janë njerëz të qetë dhe të heshtur. Gjithmonë bënin ekzaktësisht atë që i kërkohej dhe asnjëherë nuk ankoheshin për asgjë”.

Top Channel