“Bale na detyroi ta shisnim”

02/09/2013 00:00

Presidenti i Tottenham, Deniel Levy, ka shpjeguar për tifozët largimin e bujshëm të uellsianit Gareth Bale, transfertë e cila e ka bërë futbollistin ishullor më të shtrenjtin në histori.

Biznesmeni anglez tha se ai nuk kishte asnjë zgjidhje tjetër përveçse të shiste lojtarin, pasi oferta e madhe dhe dëshira e Bale për të luajtur me “Galaktikët” ishte vendimtare në tratativa.
 
Anësori nga Uellsi zyrtarizoi lëvizjen rekord mbrëmjen e së dielës duke zbarkuar në kryeqytetin spanjoll e duke i dhënë fund sagës së një prej transferimeve më të diskutuara në histori. Presidenti i Tottenham tha se paratë nuk ishin motiv për tu privuar nga 24-vjeçari, por nëse do të qëndronte, ai nuk do ishte në formën optimale tek klubi anglez.
 
“Bale ishte një nga ata lojtarë që ne nuk kishim asnjë arsye ta shisnim pasi po mendojmë për të ndërtuar nëj ekip që do të garantojë sukses në të ardhmen. Ai është një futbollist që u zhvillua shumë tek ne dhe ne investuam në karrierën e tij. Nuk prisnim të largohej në vitin e parë të kontratës së re, por vëmendja e Realit dhe dëshira e Bale për të luajtur me ta, na bënë të mendojmë se ai nuk do të jetë i përkushtuar për sezonin e ri me Tottenham”, tha Daniel Levy.

Gareth Bale i bashkohet listës prestigjioze të futbollistëve që kanë bërë transferime të bujshme tek Reali si Luis Figo, Zinedine Zidane, Beckham, Kaka’, Ronaldo dhe Cristiano Ronaldo.

Top Channel