Tetë vjet përballë dy muajve

01/09/2013 00:00

Skënder Minxhozi – Këtë verë, shqiptarët patën rastin unik që të mos merren, në bisedat e përditshme, vetëm me një qeveri, por me dy të tilla. E para, qeveria “Berisha”, ajo që po bën gati “plaçkat”, por që vijon të vulosë e firmosë me rendiment të lartë. E dyta, kabinet i Edi Ramës, i cili bën prova në startin e nisjes prej dy muajsh, në pritje të votëbesimit në dhjetëditëshin e dytë të shtatorit.

Megjithëse rruga e përshkruar nga këto qeveri është krejt asimetrike, megjithëse njëra prej tyre është formale e tjetra informale, megjithëse Berisha po djeg ditët e fundit të mandatit të dytë, kurse Rama ende s’ka nisur të parin, është krijuar një iluzion optik, kryesisht në media, i cili krijon përshtypjen e një konsumi, apo të një bilanci të barabartë dhe paralel, edhe të qeverisë së dytë, asaj në hije.

Të krahasosh dy kabinetet e mësipërme është një nonsens logjik dhe ligjor. E megjithatë, alkimia politike e mediatike arrin ta bëjë këtë. Mazhoranca në ikje reklamon prej kohësh të gjithë të drejtën për të qeverisur deri në cakun e fundit kushtetues. Ajo mblidhet rregullisht në tryezën e qeverisë, ku Berisha vijon shfaqjet e tij televizive, ndërsa ministrat lundrojnë në internet. E megjithatë është po kjo mazhorancë e cila ka nisur, ende pa u hedhur në letër dekreti i Nishanit për kabinetin “Rama”, që të numërojë bilancin imagjinar të një qeverie që nuk është formuar.

Të gjithë zyrtarët më të lartë të PD dhe qeverisë, Kryeministri dhe kryetari në ikje, por edhe kryetari i ri “protokollar”, Lulzim Basha, që të gjithë po harxhojnë një sasi të madhe energjish ditore, për të krijuar përshtypjen se qeveria “Rama” tashmë ka dështuar, se ministrat e saj po e tregojnë “me prova” se janë të paaftë, se asgjë nuk po funksionon në punën e kabinetit të ri. E gjitha kjo, kur qeveria pret ende votëbesimin në Parlament! Madje edhe pa bërë ende publik programin e saj zyrtar të qeverisjes.

Me njërën dorë në hedhjen e firmave të fundit nëpër koncesione, alokime fondesh dhe shpërndarje licencash për të vetët, demokratët po e përdorin me shumë zell dorën tjetër, për të hedhur baltë mbi një projekt qeverisjeje, që akoma pret të nisë. Berisha dhe Topalli kanë harxhuar tashmë shumë nga arsenali i tyre i njohur i batutave të të gjitha llojeve, për të tallur një ekip që nuk ka nisur nga puna. Paçka se Shqipëria dergjet aktualisht në amullinë më të madhe të imagjinueshme të dekadës së fundit, paçka se qeveria në ikje po e mbyll në mënyrën më të keqe të përfytyrueshme mandatin e saj të dytë. Lazarati korr këto orë hashashin e “stinës”, krimi bën kërdinë në të gjitha poret e shoqërisë shqiptare, antiligji është ulur këmbëkryq në çdo zyrë të shtetit, biznesi pret të mbyllë plagët e hapura nga paratë publike që s’i mori kurrë, të varfrit janë edhe më të varfër e të dëshpëruar, shëndetësia dhe arsimi ngjajnë tashmë me zgavra sociale, më shumë sesa me sektorë jetikë të shtetit, e megjithatë këta shtetarë në largim gjejnë kohën për të ironizuar pesë arkitektë të huaj, të mbledhur në Tiranë, që thonë mendimet e tyre private për të ardhmen e vendit.

Shumica që po largohet këto ditë e harron në çast se ka qenë po ajo që e ka kërkuar me forcë të drejtën për të qeverisur deri në shtator. E harron duke manifestuar orë e çast lodhjen, mplakjen dhe pafuqinë e saj për të qëndruar edhe për pak ditë në këmbë. Kjo qeverisje ndodhet në gjendje kome të pakthyeshme, me ministra që nuk dalin në punë as një herë në javë dhe zyrtarë të të gjitha niveleve që mendojnë për të nesërmen, kur të jetë ndërruar pushteti. E përsëri, kjo turmë kostumesh luksoze në ikje, ka mjaftueshëm sens humori dhe papërgjegjshmërie, që të gjykojë iks deklaratë apo ipsilon postim në “Facebook” të një ministri të majtë pa portofol dhe mandat, por mos të shohë se situata në sektorin që ende drejton është katastrofale.

Vakanca institucionale që imponon Kushtetuta pas mbajtjes së procesit zgjedhor, është një periudhë kohore që në të shkuarën është përdorur për të ezauruar dhe zbutur bishtin e sherreve që linin pas proceset elektorale. Kësaj radhe ndodhi ndryshe. 23 qershori solli me vete një rezultat tejet të pastër e të pakontestueshëm. Për pasojë, vera që po kalon qe e nxehtë, por pa lajme. Megjithatë, mundëm të shohim dhe të shijojmë bashkëjetesën sureale të një qeverie që mori një milion vota kundër, por që ende qeveris formalisht, me një qeveri tjetër që ka marrë një det me vota popullore, por që ndodhet akoma e shtrënguar të presë radhën për t’u ngjitur në skenë.

Mundëm gjithashtu të shohim sesi një kabinet që ikën, nuk e mban dorën për gjëra të “vogla”, siç janë lejet dhe kontratat me fatura të kripura financiare, në formë nderi për miq e shokë. Pamë gjithashtu edhe sesi një parti e dënuar si kurrë më parë me vota, vendosi ta ngushëllojë veten dhe të harrojë humbjen e thellë, duke ndryshuar selinë dhe kryetarin. Në fakt, këtë të dytin vetëm për formë.

Kësisoj, më 9 shtator, mos u habisni kur të shihni që në Kuvend të përplasen ashpër dy “bilance”. Njëri, tetëvjeçar, me një listë të pafund zullumesh të provuara e suksesesh të pretenduara. Tjetri, dymujor, me një tufë postimesh në rrjetet sociale, deklaratash nëpër gazeta, me konferenca e mbledhje informale, por… akoma pa mandat. Ky është paradoksi i verës që lamë pas. Një stinë ku Berisha u bë “anëtar i thjeshtë” i PD dhe ku Rama kapi me dorë ëndrrën e vjetër. Që të ulet në karrigen e të parit të qeverisë.

Gazeta ‘Shqip’

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA