Kakà rikthehet te Milan për 2 vjet

01/09/2013 20:45

Ricardo Kakà është sërish një lojtar i Milanit. Braziliani ka pranuar propozimin e klubit kuqezi dhe ka firmosur një kontratë dyvjeçare.

Akordi me Real Madrid ishte arritur pas takimit kokë më kokë të Adriano Galliani-t dhe Florentino Perez. Lojtari vjen me parametra zero, pas 4 sezonesh tepër zhgënjyese me “merengues”-it.

Në orët e ardhshme fantazisti do të rikthehet në Milano dhe do të bëhet gati për skuadrën e drejtuar nga Allegri.

Dy vjet kuqezi, pas atyre viteve të mrekullueshme me këtë fanellë, me të cilën u shpall edhe fitues i “Topit të Artë”. Një goditje e bujshme për Milanin, rikthimi i Kakà, kjo sepse Allegri kishte paralajmëruar se ekipi kishte nevojë për aspektin tekniko-taktik.

Milanistët e prisnin këtë ngjarje prej dy vjetësh, por tashmë do t’i takojë Allegrit të gjejë formulën më të mirë të mundshme, duke ditur se ka në dispozicion edhe Balotelli-n dhe “Faraonin”.

Sa i përket financave, një magji e Milanit: e bleu për 8,5 milionë euro në 2003, e shiti te Real për 67,2 milionë në 2009 dhe e riblen tashmë por me kosto zero… Meritë e veçantë e Adriano Galliani-t.

Top Channel