Aleksander Cipa – E kam dëgjuar disa herë ministrin e deritanishëm të
Transporteve, zotin Sokol Olldashi, të shprehet se: deputet i vështirë
në Parlament për ministrat është Erion Braçe!
E ka pasur fjalën jo vetëm për mësymjen e pareshtur, gati gjithëditore të zotit Braçe për të denoncuar me fakte e dokumente administrative tenderë, prokurime, koncesione dhe shpërdorime fondesh publike, por edhe për faktin se në sa seanca interpelancash dhe debatesh që janë zhvilluar gjatë legjislaturës së shkuar, deputeti Braçe është shfaqur si denoncues i kurajshëm dhe mbi të gjitha, faktologjik. Një arkiv faktesh dhe dokumentesh shpaloste e vijon të shpalosë përditë në veprimtarinë e tij për interesat e publikut. Këtë cilësi ndoshta e ka të fituar edhe prej profesionit të hershëm të tij, atë të gazetarit.
Kuraja denoncuese dhe kritike e deputetit Braçe, e veshur me patetizmin opozitar, së pari buron prej vetëbesimit në tërësinë e fakteve dhe dokumentacionit që hulumton për çdo rast. Ky personazh i njohur përgjatë kaq viteve në Parlamentin e Shqipërisë, përbën modelin antikonformist të opozitarit me mandat të ripërsëritur disa herë. Zoti Braçe tashmë është ikona e opozitarit të paepur, ose e thënë me një gjuhë më klasike, pse jo edhe e “deputetit-proletar” që në vorbullat e shumta e të korkolepsura të politikës së akuzimit dhe kritikës antagoniste, mbijeton si dëshmitar dhe protagonist njëherazi i politikëbërësit me ndërgjegjen e lartë respektuese ndaj faktit e më pas interpretimit.
Natyrisht nuk dua të marr përsipër shkrimin e një profili apo portreti për deputetin përmbajtësisht të majtë, Braçe. Më shumë jam i interesuar për nevojën dhe ngutshmërinë që ka shoqëria dhe realiteti ynë për një kritikë konstruktiviste opozitare në ditët e afërta dhe ardhjen e tanishme në shërbim për interesin publik, e një kori kritikësh dhe faktologësh. Një emër i vetëm natyrisht që është i pamjaftueshëm. Kjo është parathënë prej Majakovskit, në kohët kur Njëshi politik dirigjonte jetë-tragjeditë shoqërore. Në këtë vend nevojitet grupimi i denoncuesve faktologjikë. Prej këtij virtyti jetik, fatkeqësisht gjatë kësaj kohe tranzicioni, kanë ikur së pari institucionet dhe establishmentet e raportimit dhe dijenivënies publike. Një ikje e zëvendësuar nga fakto-propaganda vrastare.
Fakto-propaganda prej vitesh në këtë tranzicion ka qenë dhe mbetet “helika” e një zvarritjeje të pluhurt e pa lartësi për shoqërinë dhe publikun tonë, për mediat e politikën, për institucionet dhe institucionalizmin, për drejtësinë dhe fatkeqësisht edhe për personazhet dhe shërbestarët e religjioneve.
A mund ta kthejmë kulturën e faktologjisë në komunikimin, raportimin, debatin dhe politikëbërjen publike në funksion real dhe brendi reale? Kjo nuk është një pyetje retorike, por nevoja për një qasje vepruese prej gjithë aktorëve të shoqërisë që pretendon të shporrë dhe kapërcejë një tranzicion zvarritës dhe të fitojë normativat e një standardi europian. Nuk është fjala për një renditje të re protagonistësh, apo për nismë garuese se kush duhet ta nisë i pari. Problemi madhor lidhet me ndërgjegjen dhe kulturën e re që nevojitet të ngjizim dhe mishërojmë në sjellje, veprime, komunikim dhe shërbestari publike.
Kultura e denoncimit faktik është nevojë e ardhur qysh në motet e lindjes së polisit, e këshilluar nga etërit e qytetërimit dhe shtetësisë. Në Shqipërinë e sotme ky leksion bazik është shpërfillur vrazhdësisht dhe barbarisht prej shtetarësisë dhe njëherazi prej aktorëve e individëve të një shoqërie që pretendon organizim. Për shkak të braktisjes dhe shpërfilljes barbare të kësaj këshille bazike, shteti dhe institucionet tona paraqiten aktualisht në mjerimin e vetërënies dhe vetëshembjes.
Vini re, në disa prej çështjeve më të bujshme të këtyre ditëve që lidhen me qeveri-ndërrimin, në vend mungon besnikëria ndaj faktit dhe dokumentit. Polemikat dhe debati i korkolepsur për selinë e re të PD-së, ish deri më tash SHQUP-i, mbahen të mediatizuara vetëm me materien e deklarimeve dhe batutave që vijnë nga deputetë të shumicës së re, zëdhënësit e PD-së së re dhe nga deklaratat procedurale institucionale të dekretit të Presidentit dhe moshedhjes së firmës prej shefit të Shtabit të FA-së, si dhe prej fragmenteve të intervistave të dhëna nga pretenduesit privatë për truallin e këtij institucioni që është në aktin final të pronar-ndërrimit. Këto, të gjitha së bashku, janë vetëm një pjesë e së vërtetës dhe nuk formësojnë një të tërë faktologjike. Asnjë prej kamerave të TV-ve private dhe sidomos TV publik, nuk ka mundur të referojë qoftë edhe përmes një specialeje tërësinë e dokumentacionit që figuron në Hipotekë, në Kadastër dhe në Bashkinë e Tiranës. Nëse kjo do të ishte bërë, buja e këtij debati të deritanishëm do të ishte shumështuar nga detaje dhe fakte të reja, të cilat në vetvete mund të servireshin ndoshta edhe si fragmente skandalesh që kanë të bëjnë me kulturën dhe përgjegjësinë institucionale në këtë vend.
E njëjta gjë mund të thuhet për incidentin e njëherësh skandalin e pronësisë mbi truallin ku ishte Pallati i Kulturës “Naim Frashëri” në Përmet, të cilin e pretendon kisha, duke mbetur në një telenovelë përplasjesh e gjyqesh me Bashkinë e Përmetit. Mediat ende nuk kanë mundur të sjellin genplanet e pretendimit të kishës, sikundër bashkia bazohet mbi dokumentacionin e mirëmbajtur të Pallatit të Kulturës. Por zëdhënësit e të dyja palëve në konfliktin pronësor, “i peshkojnë mediat” duke u servirur si fakte të pakontestueshme fotografi të arkivave private dhe të nxjerra nga arkiva “bardhë e zi” e dekadave të komunizmit. Ky debat i thjeshtë në dukje, i pamjaftueshëm për të bindur thellësisht opinionin publik dhe interpretuesit e ndryshëm që marrin pjesë në të, ka tejkaluar kufijtë e vendit dhe po dimensionohet nga falangat e ankesës vjetrake nacionaliste të fqinjëve si një “padrejtësi e shtetit shqiptar mbi kishën e grekëve në Përmet”. E rëndë kjo zhurmë e ekzagjeruar, por më i rëndë është ndikimi mbi imazhin dhe marrëdhënien e shtetit me religjionet në sytë e të huajve dhe sidomos në letrat kritike që dërgojnë dhe marrin ata!
Edhe në këtë rast, “tradhtia pa arsye” që i bëjmë ne, domethënë politika dhe mediat, faktit kokëfortë, sjell pasoja të padëshiruara dhe sendërton një imazh të dëmshëm për ne dhe shtetin tonë, matanë nesh. Vështirë se e heqim pas kësaj propagande nga mendja e botës idenë se në Përmet nuk ka grekë e sidomos nuk ka minoritarë rezidentë!
Por nevoja dhe njëherësh fitimi i kulturës së denoncimit dhe akuzimit faktologjik, para së gjithash duhen dëshmuar në Parlamentin e ri. Në institucionet ku peshohet qeverisja dhe verifikohet produkti i saj. Në Parlament, ku përmirësohet dhe ndryshohet legjislacioni, nuk vlen as prezenca e shtuar e krakerëve me mandat e aq më pak prezenca e “kallashnikovëve me antiplumb”. Në parlamentin e ri, vendit dhe shoqërisë i vlen modeli i deputetit opozitar që denoncon dhe “mbyt me fakte e shkresa”, vlen trupa e një shumice që e njeh dhe e kërkon ndjesën, duke riraportuar pas dhe për reflektimin. Në parlamentin e ri nevojitet Erion Braçe si oponenti faktologjik brenda shumicës së re, sikundër edhe sivëllai i tij i djathtë që për çdo ditë sjell dosje dhe denoncon bëma me letra të shkruara e të vulosura, të cilat nuk riarkivohen në harresë, por vënë në lëvizje ingranazhet e shtetit dhe të drejtësisë. Përballë kësi kontributesh, edhe shteti është më i pakapshëm, edhe drejtësia i nënshtrohet sistemit duke vepruar. Në të kundërt, “kënga e patrazuar e tranzicionit” vijon si fatkeqësi e ndenjur…
Top Channel