E rrallë, Bashkia s’lë Kamzën të luajë

31/08/2013 00:00

Kategoria e parë në futbollin shqiptar nis me një gjë që nuk e kemi parë asnjëherë deri më sot. Skuadra e Kamzës nuk u lejua nga policia bashkiake e Kamzës së bashku me policinë e rendit që të zhvillonte ndeshjen e parë të sezonit të ri të Kategorisë së Parë me Luftëtarin.

Drejtuesit e skuadrës së Kamzës janë përpjekur me fjalë të ndryshojnë mendimin e policisë bashkiake dhe asaj të rendit për të vazhduar normalisht zhvillimin e ndeshjes. Por përpjekjet e tyre kanë rënë në vesh të shurdhër pasi policia bashkiake me urdhër të kryetarit Xhelal Mziu nuk ka lëvizur nga vendi deri sa dy ekipet u larguan nga ambientet para stadiumit të Kamzës.

Në një komunikatë për shtyp, drejtuesit e klubit të Kamzës kërcënuan me bojkot të kampionatit në rast se bashkia do t’i pengonte ata të luanin në atë stadium. Madje në fund të kësaj komunikate, presidenti Naim Qarri, që ka shumicën e aksioneve të këtij klubi ka ironizuar duke thënë se ndeshjet do t’i luajnë ne oborrin e Bashkisë së Kamzës, pasi sipas tij fushën e kanë zënë “gjermanët”.

Top Channel