Boateng te Schalke, Milan në sulm për Hondan

30/08/2013 00:00

Schalke 04 njoftoi befasisht në faqen e saj në internet se mesfushori i Milanit, Kevin Prince Boateng është duke kryer vizitat mjekësore nga mjekët e saj.

Njoftimi vjen si një rrufe në qiell të hapur për të gjithë tifozët e Milanit. Askush nuk e priste largimin e Boa-s, sidomos pas paraqitjes në ndeshjen eliminatore ndaj PSV-së ku shënoi dy gola në fitoren 3-0 në San Siro.

Nga shitja e Boateng, Milan përfiton 10 milion euro, ndërsa vetë lojtari një kontratë 3-vjecare me skuadrën gjermane.

Megjithatë, ato që kanë shtyrë ganezin e lindur në Berlin drejt Bundesligës janë zërat që qarkullojnë së fundmi në mediat italiane dhe spanjolle për një rikthim të Kaka’ në Milano. Kjo lëvizje do t’i pakësonte shanset e Boateng për një vend titullar në skuadër, ndërsa vetë Milani duket se nuk dëshiron të ketë barrë financiare të tepruar, sidomos në këto kohë krizash.

Por një tjetër emër që qarkullon është edhe ai i japonezit Honda që luan me CSKA-në e Moskës. Mediat italiane flasin për një ofensivë të fundit të kuqezinjve, para mbylljes së merkatos, duke rritur ofertën për rusët.

 

26-vjeçari mbërriti në 2010 në Milano nga Portsmuthi duke shkëlqyer në sezonin e parë. Por rendimenti i tij ra ndjeshëm një vit më vonë, ndërsa sezonin e fundit ishte vendosur në qendër të kritikave të tifozëve dhe medias sportive italiane.

Top Channel