Milan, Allegri “show”: Dorëhiqem! … Ishte batutë!

29/08/2013 03:25

Atëherë kur pritej që, në fund të takimit të kishte buzëqeshje dhe festë, te Milan duket se ka shpërthyer “bomba”.

Massimiliano Allegri flet për mediat italiane, pas suksesit 3-0 me PSV Eindhoven, dhe hidhet në sulm: “Ndoshta nesër jap dorëheqjen, duke parë që i dhash fund kështu sezonit të kaluar, të shohim. Mos është ndonjë batutë? Të shohim, të kalojmë njëherë natën dhe më pas do shoh se çdo bëj”.

Por, ka reaguar shumë shpejt Galliani: “Asnjë problem, ishte thjesht një batutë ndjenjash. Jam autorizuar prej tij, që t’iu them se ishte një batutë, le të mos krijojmë një çështje me këtë”.

Mbase, por Allegri ishte me siguri tepër nervoz: “Sot do të jem shumë polemizues, – tha tekniku i Milanit, – sepse lexoj dhe dëgjoj shumë gjëra që… duken hyjnore nga jashtë, ndërsa unë, tashmë në një moshë të caktuar, po ju them me ndershmëri, se do të shkoj për plazh në bregdetin e Livornos, ndoshta do të vij të shoh ndonjë ndeshje, kur të kem mundësi. Jam disi kokëfortë. Jam i kënaqur me atë çfarë dhanë djemtë në fushë, por jam shumë i irrituar”.

Më pas shton: “Sigurisht që kënaqem edhe unë, sepse djemtë më japin gjithmonë arsye për t’u gëzuar. Nëse jam mërzitur nga brenda apo nga jashtë? Absolutisht nga jashtë! Brenda është një klimë e mirë si me lojtarët, presidentin edhe me administratorin e deleguar, por nga jashtë dikush na hiqet si të ishte Papë, shkruajnë se çfarë duhej të bëja unë. Shumë mirë, po i lë ata të arrijnë sukseset dhe rezultatet që kam arritur unë dhe më pas flasim”.

Fakt është që, për ndeshjen, edhe për shkak të dëshirës së Allegri-t, flitet shumë pak. “Kemi përfunduar një përmbysje, që e kemi nisur 16 janarin e kaluar, dhe besoj se djemtë e meritonin këtë sukses. Ata janë një skuadër e mirë, por kishim shumë presion, ndaj dhe hasëm ndonjë vështirësi. Në fund, më duhet të them se skuadra reagoi mirë dhe zhvilloi një ndeshje perfekte”.

Ndërkohë, Galliani, veç mbrojtjes së trajnerit, bën edhe një sqarim mbi merkaton dhe çështjen tjetër të ditës; mesazhin e tifozëve kundër Matri-t. “Me gjithë respektin ndaj tifozëve, e them me bindje se merkaton e bëjmë ne. Së bashku me trajnerin, kemi rënë dakord se na duhet një sulmues i parë. Sa i përket fjalëve të Allegri-t, jam këtu për t’iu thënë, në emër të tij, se ajo ç’ka thënë më parë ka qenë vetëm një batutë. Ndoshta nga gjendja shpirtërore, por ishte thjesht një batutë…”.

Në fund, Galliani bën edhe një parashikim për shortin e Champions League, duke zgjedhur skuadrat e preferuara: “Barcelona, Celtic dhe Real Sociedad, këta të fundit janë një skuadër shumë e lezetshme…”.

Edhe vet Allegri, pasi i kaloi zemërimi i pasndeshjes, rikthehet të flasë për komentet e tij në konferencën për shtyp: “Isha i irrituar, ishin deklarata në gjaknxehtësi e sipër: ju siguroj se do të qëndroj”.

Top Channel