E. League, “përfundon” ëndrra e shqiptarëve

29/08/2013 00:00

Ëndrra e një Kukësi të shkëlqyer u ndal vetëm një hap nga një kualifikim historik për në fazën e grupeve të Europa League, pasi Trabzonspori tregoi epërsinë e tij në cilësi edhe me një fitore të dytë në Turqi, me rezultatin 3-1.

Pas humbjes 0-2 në Tiranë, verilindorët e nisën menjëherë me një surprizë, kur Popoviç kaloi tanët në avantazh në të 11’, por Paulo riktheu barazpeshën vetëm tre minuta më pas dhe futbollisti i përfaqësues franceze, Florent Malouda “vrau” ëndrrën e tanëve me një gol të dytë në fillimin e pjesës së dytë.

Deri në fund të lojës, Paulo do t’i shtonte edhe një gol të dytë personal e një tretë Trabzonsporit, por pavarësisht këtij eliminimi, Kukësi largohet me kokën lart prej kompeticioneve europiane.

Një surprizë e vërtetë, Kukësi shkroi një faqe të re të artë në historinë e futbollit tonë, duke u shndërruar në skuadrën e parë shqiptare, që kualifikohet në tre ture të një kompeticioni europian, pas eliminimit më parë të estonezëve të Flora Tallinit, boshnjakëve të Sarajevos dhe ukrainasve të Metalurg Donetskut.

Skënderbeu i pafat, eliminohet me penallti

Fati i ka rezervuar të njëjtin përfundim edhe ekipit tjetër shqiptar të mbetur në kupat e Europës, më saktësisht në Europa League, siç ndodhi vetëm pak orë më parë edhe me Kukësin.

Skuadra korçare, faktikisht ka pësuar një eliminim më të vuajtur e më të hidhur, pasi arriti të rikuperonte humbjen minimale 1-0 në Ukrainë, kundër Chornomorets Odessa, duke fituar në “Qemal Stafa” me të njëjtin rezultat, falë golit të Andi Ribajt, në minutën e 18’.

Skënderbeu u shfaq një ekip i kujdesshëm përgjatë gjithë ndeshjes, duke mbrojtur mirë portën e saj dhe duke u përpjekur të shfrytëzonte rastet që i jepeshin, për të gjetur rrjetën kundërshtare, por 90 minutat e kohës së rregullt përfunduan 1-0, duke mos shmangur nevojën e kohëve shtesë.

Edhe 30 minutat e shtesës nuk sollën ndonjë risi, veç lodhjes së të dy ekipeve në fushë dhe dëmtimeve të papritura, në fillim Orelesi e më pas Arapi, teksa ky i fundit nuk mundi të kthehej në fushën e lojës në minutat e fundit, duke e lënë Skënderbeun me 1 lojtar më pak, pasi trajneri Mirel Josa i kishte kryer të 3 zëvendësimet.

Nga gjuajtjet e 11-metërshave, Skënderbeu ishte ekipi më i pafat. Shënuan Shkëmbi, Ribaj, Shehi, Gvozdenovic, Bici dhe Lilaj për korçarët, por gabuan në ditën e tyre më të rëndësishme Radas, Orelesi dhe Nimanga. Pavarësisht përpjekjeve të portierit Orges Shehi, heroi i përkohshëm i korçarëve me 2 penallti të pritura (veç asaj të shënuarës prej tij), fati nuk donte që Skënderbeu të avanconte më tej në fazën e grupeve të Europa League. Penalltitë përfunduan në favor të Chornomorets Odessa 6-7, duke i kualifikuar ukrainasit në grupe.

Top Channel