Fatos Baxhaku – Askush nuk mund të guxojë të thotë se një dasmë e shkuar
keq në Fier përbëka më shumë lajm sesa avionët e NATO-s që janë bërë
gati për të bombarduar Damaskun.

Apo se disa dasmorë, të cilët nxjerrin zorrët jashtë me lebeti pas gëzimit dhe haresë që shkakton çdo çift i ri, na përbëkan më shumë lajm sesa fakti që pala greke në Kapshticë apo në Kakavijë punon gjithnjë, jetë e mot, me dy sportele më pak sesa pala jonë. Jo aspak! Pa le pastaj kur mësohet se futbollisti i mirënjohur Runi refuzon Çelsin. Kjo është se ç’është! Po ja që jeta jonë, e shqiptarëve të vegjël, është e përbërë nga gjëra të mëdha, të cilat jetë e mot na i vendosin të tjerët, por dhe nga gjëra të vogla, të cilat në mos na marrin jetën, na bëjnë që të shkojmë në spital me stomak të plasur e me këmbë që dridhen.

I tillë ka qenë rasti i një dasme të ndodhur në fundjavën e shkuar në Fier a diku afër tij. Çdo gjë duket se në fillim ka shkuar për bukuri. Ne vetëm mund ta imagjinojmë harenë e dasmorëve, të larë në djersë teksa ngrinin shëndete pas shëndetesh, duke u uruar të rinjve që martoheshin një jetë të gjatë e të begatë, njësoj sikurse ua donte zemra e shpirti dhe madje edhe më tepër. Dasma është shuar pak nga pak, sikurse ndodh gjithnjë me gëzimin e pamat. Dasmat shuhen njësoj si flaka në shaminë e beqarit. Në trotuare janë dëgjuar edhe hapat e më të fundmit të të hareshmëve. Pastaj është vënë qetësia. Dasmorët e lodhur kanë hequr kollaret, që u kanë mbytur fytin, duke pyetur gratë, që fërkonin këmbët pas torturës së këpucëve me taka: Eh moj grua, të nderova sot, apo jo? E pe filanin që u shtri si lopë e çmendur që në dopjon e dytë?!

Mirëpo nuk kanë kaluar as 24 orë dhe të gjithë dasmorët, me përjashtim të ndonjë të spikaturi në prova të tilla, janë paraqitur në spital me prova të dukshme helmimi akut. Disa kanë qenë shumë keq. Gazetarët vendas raportuan se mes të helmuarve kanë qenë jo pak, por 17 fëmijë! Çfarë dreqin ka ndodhur? Nuk jemi të mësuar të gëzojmë, apo gëzimi nuk ka më lidhje me ne? Apo thjesht një mallkim fatkeq i rastësishëm?

Si të gjitha lajmet e ashtuquajtura të vogla, edhe lajmi i dasmës së helmuar të Fierit u harrua fill një ditë pas raportimit. Me të drejtë do të shtonim. Ne kemi hallin e Runit që refuzon Çelsin dhe nuk na shkon aspak mendja se si u vajti puna dasmorëve fatzinj fierakë. Thonë se, thonë ama, se që të gjithë ia kanë hedhur paq, me ca lavazhe me ujë të vakët dhe kanë shkuar në shtëpi të leqendisur paq.

Sido që të jetë puna, dy gjëra na u kujtuan sërish. Më e para nga të gjitha, është që kjo ideja jonë e të bërit të punëve “me të futur” a me “të hedhur” është tashmë aq e përhapur saqë të rrezikojë të shndërrojë një festë të bekuar sikurse duhet të jetë çdo martesë, në një ngjarje aq të rrezikshme saqë të vërë në dyshim jetën e një grupi shumë të madh njerëzish, mes të cilëve shumë janë fëmijë. E dyta, u tha, të paktën kështu u raportua, se në lokalin ku janë gatuar gjërat e prishura ka shkuar sakaq autoriteti shëndetësor, i cili do të marrë masat përkatëse. Pastaj nuk u tha më gjë. Me sa duket fajin për helmimin e rrezikshëm e kanë vetë dasmorët. Tek e fundit, e kush u tha atyre të hanin xhanëm? Autoriteti shëndetësor nuk është as më shumë e as më pak se sa prezenca e shtetit, qoftë ky në nivel lokal apo qendror. Sikur ky, shteti pra, të kishte bërë punën e tij që prej kohësh, edhe kjo dasmë do të ishte një gëzim dhe jo një rast i frikshëm më shumë për të thyer rekordet në spitalin e Fierit.

Sigurisht që një dasmë e helmuar të lë një shije të hidhur. Është një lajm “i vogël”, por shumë simbolik, që rrëfen Shqipërinë e vogël të sfidave të mëdha të këtyre kohëve. Nga lart, nga qeveria që po bëhet gati të marrë pushtetin, na vjen një sinjal i qartë: duhet vetëm besim në gjërat që do të bëjmë bashkë. E drejtë. Asgjë, as një bisedë madje, nuk mund të bëhet pa besim. Besimi është ai që u jep arsye gjërave. Duhet pasur besim te vetja, te tjetri, madje nganjëherë edhe tek ëndrrat, që secili prej nesh vazhdon të shohë. Vetëm se që dikush ta shndërrojë besimin në një motor që gjeneron energji pozitive, duhet që sigurisht të merremi me gjërat e mëdha, të cilat na i vë mbi shpatulla koha, por ama le të mos harrojmë edhe këto të voglat, si për shembull dasmën e helmuar të Fierit. Ndryshe nga çfarë besojmë, shumë herë jeta është e përbërë nga gjëra të ashtuquajtura të vogla, të cilat nëse harrohen, shndërrohen në kënetë, në dukje të paqtë, porse gjithnjë triumfuese në hapin e saj të ngadaltë e zhurmëmbytur. Dhe kur këneta tinëzare t’i afrohet me ritëm të shurdhët suksesit të saj, atëherë asnjë fitimtar ëndërrimtar nuk do të ketë më se kujt t’i tregojë bëmat për të cilat u rropat gjithë jetën. Ky është vetëm një nga mesazhet që vjen nga dasma e helmuar e Fierit. Gjithsesi, populli ynë, me përvojë të gjatë – thonë që nga pellazgët – e ka gjetur shprehjen, e cila përdoret në të tilla raste. Ajo është pak a shumë kështu: Ore, çifti të na ketë shkuarjen një herë! Se plaçka çoku edhe vihet! Fjalë me mend dhe një ngushëllim i vërtetë për dasmorët e helmuar të Fierit. Dhe një ngushëllim më shumë për të mos humbur besimin.

Gazeta “Shqip”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA