Barça i rrëmben Superkupën Atletico-s

29/08/2013 01:20

Pavarësisht një ndeshjeje pa shumë shkëlqim të dyshes së artë Messi-Neymar, Barcelona arrin të shtojë në palmaresin e saj trofeun e parë të këtij sezoni.

Në “Camp Nou”, sfida me Atletico Madrid përfundon 0-0, por kaq mjafton, duke ditur rezultatin 1-1 të ndeshjes së parë në Madrid, që “blaugrana”-t të shpallen fitues të Superkupës së Spanjës.

Atletico Madrid mbeti me 10 vetë në minutat e fundit, pas kartonit të kuq të dhënë ndaj Arda Turan. Por, rasti më deciziv ka qenë ai i minutës së 89’, kur Messi gabon nga pika e bardhë e 11-metërshit, duke tronditur traversën e porterit të Atletico-s.

Edhe pse Barcelona luajti më shumë dhe, si gjithmonë, pati një superioritet territorial, Atletico e Diego Simeone-s diti të mbrohej shumë mirë, duke u shfaqur e rrezikshme edhe në disa raste me anë të kundërsulmit.

Messi dukej shumë nervoz, edhe prej faullave të shkaktuar nga kushdo që i kalonte pranë, por edhe për shkak se nuk ishte në gjendjen më të mirë fizike, një sinjal që tregon se problemet muskulare nuk janë zgjidhur përfundimisht, edhe pse qëndroi pushim në kampionat.

Neymar ka ende probleme me integrimin në lojën e “blaugrana”-ve, një lojë më pak efektive se sa loja praktike nën drejtimin e Tito Vilanova-s, e mbi të gjithë Guardiola-s.

Top Channel