Natyra e një vendi është edhe pasqyra e mënyrës si qeveriset një popull
dhe më pas edhe i kulturës së tij. Kështu, peizazhet e një vendi
reflektojnë kualitetin e shtetit dhe cilësinë e pushtetit atje. Nga
gjelbërimi zviceran dhe nga pyllëzimi masiv i Gjermanisë, kuptojmë se
ç’lloj shoqërie janë ato që kujdesen për to.
E po kështu në Francë, në Belgjikë dhe në Greqi. Asnjë gjethe nuk lëviz jashtë një rendi të paracaktuar nga ligji, nga shteti, nga vullneti i përbashkët. Të kthehemi në Shqipërinë që la pas Berisha. Nuk ka nevojë të lexosh, të pyesësh, të jesh kurioz, të hulumtosh. Mjafton të shohësh natyrën tonë për të kuptuar se ç’njerëz jetojnë aty brenda dhe si janë qeverisur ata deri tani. Natyra shqiptare të kujton vrazhdë lumin e Lanës para vitit 2000, sunduar nga kioskat, pisllëku, babëzia dhe shëmtia. Natyrë e shkatërruar, pa pyje, pa pastërti, pa kujdes, pa dashuri. Disa veçori të tranzicionit lexohen shkujdesur aty. S’është e vështirë të kuptosh mediokritetin e zyrtarëve të këtij tranzicioni, babëzinë, injorancën, korrupsionin, kulturën e paqenë civile, dashurinë për asgjënë, trazimin kombëtar që kanë shkaktuar, anarkinë dhe spontanitetin.
***
Të njëjtat gjëra lexojnë edhe të huajt. Përshtypja e të huajve për ne fillon me perceptimin që u krijon atyre territori dhe natyra jonë. Për ta është e kuptueshme: Të përmirësosh këtë perceptim nevojitet t’u ndryshosh së pari shqiptarëve frekuencën e të menduarit për ligjet, për jetën, për ambientin. Nuk është e lehtë. Tranzicioni ka qenë si një vorbull që ka bërë të shkojë dëm çdo orvatje për prosperitet e zhvillim. Kjo vorbull është një përfytyrim kombëtar i shndërruar tashmë në materie. Të qeverisësh njerëz të të tillë, të dëshpëruar, mes këtij përfytyrimi, është e vështirë, për të mos thënë dëshpëruese.
Edi Rama është sot në pushtet jo vetëm thjesht të qeverisë. Por edhe të motivojë. Të frymëzojë njerëzit e mirë e të vuajtur që këta të fillojnë të duan ndryshimin. Kryeministri i ri i shqiptarëve duhet dhe duket të ketë qartësuar në vetëdijen e tij përgjegjësinë sublime ndaj popullit të vet. Vetëm një përshkallëzim i tillë ndjeshmërie mund të shtyjë një lider të shkëpusë një pjesë historie nga rutina e jetës për të bërë një epokë. Në këtë botë, energjitë pozitive të ndërgjegjes thirren në skenë vetëm kur nevojiten ndryshime të mëdha të cilave mund t’u prijnë vetëm liderë të mëdhenj; Vetëm kjo vetëdije mund të prodhojë një vizion të tillë që rreket të shndërrohet njëherësh në mision. Kush është misioni sublim i Edi Ramës? Rilindja e Shqipërisë! Ringritja! Krijimi i një perceptimi të ri për jetën dhe të ardhmen bazuar në besimin se ky vend do të bëhet një ditë. Krijimi i një vetëdijeje të re për zhvillimin e vendit, në kushtet kur modeli i deritanishëm i tranzicionit, që nuk prodhon as zhvillim, as punësim, as kohezion social, rezultoi përfundimisht, tërësisht i dështuar.
Konferenca “Shqipëria e gjeneratës tjetër”, që po zhvillohet në Tiranë, është një hap i parë drejt këtij qëllimi. Kryeministri Edi Rama tha se kjo konferencë është “rrjedhojë e vetëdijes sonë se sot ne gjendemi para një sfide shumë të madhe të vendosjes së kontrollit mbi territorin dhe para sfidës për të ndërtuar një model të ri zhvillimi, duke nënvizuar si primare edhe reformën rrënjësore të sistemit të qeverisjes”… Kjo konferencë nuk është thjesht një hap i bërë. Është shpalosja e një strategjie.
Jo rastësisht shqiptarët, kjo racë e kërrusur nga shekujt dhe sundimtarët, i dhanë këtë herë si askujt tjetër edhe pushtet politik, edhe pushtet shpirtëror, Edi Ramës. Ia dhanë që ai ta shenjtërojë këtë pushtet, duke i dhënë shpirt e besim lirisë dhe të ardhmes së tyre. Jo vetëm kaq. Ia dhanë që të pastrojë vendin dhe shoqërinë nga makabritetet e së shkuarës, që kanë zënë rrënjë në çdo shpirt njerëzor. Ia dhanë që të përmirësojë dhe zbukurojë jetën e tyre. Që të pastrojë territorin nga mbeturinat, ndërtimet pa leje dhe nga pakujdesia. Që të transformojë mjekësinë, arsimin, turizmin, ekonominë. Që të përmbysë gjithçka të ndërtuar gabim, për të krijuar një sistem të ri qeverisjeje; për të ringritur gjithçka nga e para, shëndetshëm. Prandaj iu dha sot pushtet Edi Ramës. Që ta ndryshojë këtë vend me çdo kusht. Ta shpëtojë shoqërinë me çdo kusht nga dëshpërimi, administratën nga korrupsioni, shtetin nga pushteti dhe pushtetin nga ndotja e moralit.
***
Nëse Shqipëria sot të kujton lumin e Lanës me kioska dhe plehra të viteve ’90, pushteti i Berishës të kujton kasaphanën e pelegrinazhit në malin e Tomorit, ku mijëra qengja çdo vit theren dhe gjaku i tyre rrjedh lumë. Saliu la pas një shoqëri të lënduar, të gjakosur, të mjeruar. Pushtet i errët, i pamëshirshëm! Berisha prodhoi zyrtarë të ethshëm në një garë për të thithur deri në shterim palcën e këtij vendi. Çfarë bëri konkretisht klani i tij? Ndërtoi një strategji për të hedhur mjegull pesimizmi e zhgënjimi mbi kokat e qytetarëve. Strategji masonike për të krijuar kaos, frikë, mosbesim dhe përhumbje. Në kaos, njerëzit sundohen, manipulohen, mashtrohen më lehtë. Më pas sulmoi pasuritë strategjike të vendit. Naftën, kromin, turizmin, ushqimet. U dha frymë monopoleve dhe korrupsionit, duke favorizuar bizneset e mbështetësve të tij të krijuar rishtas. Krijoi klauzolën e koncesioneve, për t’u hedhur rërë plazhi syve që e vështronin. Mes të verbërve vidhet shumë, lehtë, kollaj. Nuk u shqetësua kurrë të vërë në kontroll babëzinë, harbutërinë dhe injorancën e një administrate të shkalafitur nga mëkatet, sepse ky ishte plani i tij. Pse e bëri këtë plan? Sepse ishte një pushtet që i dha pushtet spontanitetit dhe demagogjisë. Administrata u la e lirë të vjedhë, të shpërdorojë, të poshtërojë dhe mashtrojë qytetarët. U la për të krijuar një kastë besnike në bazën e piramidës. Ja ku i kemi pasojat. Për fatin e zi të shoqërive, pushteti krijon kushedi si, kushedi pse, një rutinë të fuqishme. Kjo inerci i edukoi njerëzit të mos e duan ndryshimin. Pushteti e dinte se qëndresa ndaj ndryshimeve është pjesë e kulturës njerëzore. Këtë shfrytëzoi Berisha për të ndenjur shumë gjatë në pushtet.
***
Por Saliu nuk është më në karrige dhe Edi Rama ka në duar edhe historinë, edhe fatin e vendit të vet. Më parë historinë, pastaj fatin. Fati është Zot mes njerëzve! Do t’i duhet të krijojë një histori të re, për të ndjellë fatin e mirë të shqiptarëve. Historia është pikërisht kjo gjë. Një udhëtim në tunelin e fatit të njerëzve, drejt dritës… drejt së ardhmes.
Edi Rama sot është në krye të një vendi që gjallon e pëshpërit mes pluhurit, mjerimit, katrahurës. Një vend i lënduar, që ka kaq shumë plagë sa është shndërruar në simbol të dhimbjes, mallkimit. Ekonomia më e shkatërruar në rajon, interferon sot me të keqen. Arsimi në kolaps, shëndetësia që të kujton pulat e rrjepura në kurriz për shkak të sëmundjes së “yicilikasonit”. Ushtria që të sjell në përfytyrim, herë Arben Imamin, herë ushtarin e shkalafitur në lirim, pa rrip mesi, me pantallona që i varen në tokë. Shkrehje totale e një perceptimi të shkrehur që konvergon në një ide makabre: Deri tash, ky ishte një vend i pashpresë. Prandaj themi se misioni i Edi Ramës nuk është thjesht të qeverisë. Misioni i Edi Ramës është të rilindë shpresën. Nuk do të jetë e lehtë. Duhet shumë më shumë kohë, dëshirë e vullnet të ndërtosh atë çka ka shkatërruar nga babëzia dhe mediokriteti. Duhet ekip i shëndetshëm në krye të një administrate të ndershme. Pushteti duhet të ndryshojë imazh, jo të ndryshojë një maskë. Njerëzit e pushtetit të ri thjesht duhet të dinë, të duan, të punojnë, të punojnë shumë dhe të arrijnë shumë.
Askush asnjëherë nuk do të ketë në dorë çelësin e suksesit nëse nuk do të kërkojë e gjejë të ketë rrotull vetes njerëz të tillë, njerëz që duan, që dinë, që ndiejnë, që arrijnë, në një aksion ku dominon fryma dhe disiplina e hekurt.
Top Channel