Një i dërguar special i Departamentit të Shtetit do të udhëtojë drejt Koresë së Veriut këtë javë, në përpjekje për të liruar Kenneth Bae, shtetasin amerikan të arrestuar që prej nëntorit. Lajmi u bë i ditur nga DASH dhe Shtëpia e Bardhë të martën.
Ambasadori Robert King, i dërguar special i presidentit për çështjet e të drejtave të njeriut në Korenë e Veriut, do të ndalet në Penjan të premten, në vazhdën e udhëtimeve të tij në rajon, deklaroi Shtëpia e Bardhë.
Gjykata Supreme e Koresë së Veriut e dënoi Bae-n me 15 vjen punë të detyrueshme në prill. Motra e tij, Terri Chung, dy javë më parë për CNN, tha se Bae ishte transferuar së fundi në një spital, për shkak të përkeqësimit të ndjeshëm të gjendjes shëndetësore.
Gjykata e shpalli fajtor Bae-n me akuzën se kishte kryer “krime serioze” ndaj Koresë së Veriut, përfshi krijimin e bazave në Kinë me qëllim rrëzimin e qeverisë koreano-veriore, inkurajimin e qytetarëve koreano-veriore për të rrëzuar qeverinë dhe kryerjen e një fushate diskretituese ndaj vendit, sipas medias shtetërore të vendit komunist.
Media bëri të ditur gjithashtu se Bae kishte planifikuar rrëzimin e qeverisë përmes aktiviteteve fetare.
Chung tha se vëllai i saj ishte pronar i një kompanie turistike dhe gjendej në Korenë e Veriut për punë. Ambasadori King do t’i kërkojë Penjanit faljen e Bae-s dhe dhënien ndaj tij të një amnistie speciale me baza humanitare, “në mënyrë që ai të mund të bashkohet me familjen e tij dhe të kërkojë trajtim mjekësor”, bëri të ditur DASH.
Shtëpia e Bardhë nxiti Korenë e Veriut të tregonte mëshirë të veçantë për Bae-n dhe të lejonte atë të rikthehej në vendin e tij së bashku me ambasadorin King.
Bae vuan nga disa probleme në shpinë dhe në këmbë, duke humbur më shumë se 22 kg nga pesha e tij, deklaroi Chung më herët gjatë këtij muaji. Ajo ishte informuar gjithashtu nga DASH, se ambasadori suedez e kishte vizituar Bae-n në spital. Suedia përfaqëson interesat e SHBA-ve në Korenë e Veriut, për shkak se amerikanët nuk kanë përfaqësues diplomatik në vendin komunist.
Bae vuan gjithashtu edhe nga gurët në veshka, marramendja, shikimi i paqartë por dhe humbje e tij, shtoi Chung. E motra përfshin në listën e sëmundjeve edhe diabetin. SHBA-të i kanë bërë shpesh herë thirrje Koresë së Veriut ta lirojnë Bae-n.
Top Channel