F1, “Michelin” dëshiron të rikthehet

27/08/2013 00:00

I inkurajuar nga fakti që furnizuesi zyrtar i gomave të makinave të Formulës 1 në sezonin e ardhshëm nuk është përcaktuar ende, “Michelin” pranoi zyrtarisht të martën dëshirën për t’u rikthyer në Botërorin më prestigjioz të automobilizmit në botë.

Aktualisht, është “Pirelli” marka që zotëron monopolin e gomave në Formulën 1, por pakënaqësitë e shumë makinave dhe një ofertë më e mirë e markës franceze, mund të shtyjnë Federatën Ndërkombëtare të Automobilizmit që të rimarrin në konsideratë një ofertë të mundshme nga “Michelin”.

“Nëse FIA do të ishte e gatshme të negocionte dhe të mësonte se si mund të përdoreshin gomat tona, atëherë jemi të gatshëm që të bisedojmë”, deklaroi një zëdhënës i “Michelin”, që furnizoi makinat e Formulës 1 në vitet 2001-2006.

Megjithatë, nëse do të rikthehen, francezët duan ta përcaktojnë diçka të tillë sa më shpejt. “Do të vijë një moment në të cilën mund të jetë shumë vonë. Formula 1 është një sfidë teknologjike dhe duhet të nisim projektet tona në një kohë të arsyeshme, në mënyrë që këto plane të konkretizohen”, shtoi përfaqësuesi i “Michelin”.

Top Channel