Fatos Baxhaku – Mbase ngaqë diktatura që kapërcyem këtu e 20 e ca vjet
më parë ishte një ngërthim fort mizor ligjesh, rregulloresh, fjalimesh,
aksionesh, urdhrash, komisarësh, burgjesh, komandantësh të çetave, pra
një përzierje e fortë mes gjërash fort të rënda e të ashpra, shpesh të
pakuptueshme, ne ende mendojmë se demokracia, ndonëse e kundërta e së
parës, e ndoshta pikërisht prandaj, duhet të jetë edhe ajo një ngërthim
gjërash të ngatërruara e hijerënda, se ajo me siguri është një si rrjetë
gjërash të cilat shumë herë nuk i kuptojmë edhe aq mirë sepse janë
reforma, implementime, interpelanca, séanca, amendamente, nene dhe
sythe, komisione, grupe dhe nëngrupe, se zgjidhjet e problemeve të saj i
takojnë vetëm një grupi ekspertësh.
Kaq larg mund të shkojë kjo punë sa që ndonjë ditë mund t’i themi ndonjë shoku: Të lutem ma paguan ti kafenë sot se nuk paskam likuiditete me vete!
Nga njëra anë, kjo gjë është krejt e kuptueshme. Për fat të mirë, me ngadalë, por me ritëm të vendosur, sidomos me afrimin e politikanëve të rinj në këto vitet e fundit, edhe te ne politika po shndërrohet në një profesion që ka rregullat dhe terminologjinë e vet, njësoj sikurse e kanë mjekët, inxhinierët, barinjtë e kështu me radhë. Porsa, ama nuk janë të pakta rastet kur vetë një pjesë e mirë e politikanëve, qofshin këta të atyre që quhen të majtë, apo të atyre që quhen të djathtë, ndikojnë vetë për të paraqitur para nesh, opinionit publik, njerëzve të thjeshtë sipas së cilës ata po merren me gjëra shumë e shumë të rënda dhe në shumicën e rasteve edhe të koklavitura, aq të koklavitura sa që ne njerëzve të thjeshtë as që na shkon mendja që t’i kuptojmë.
Në të vërtetë, demokracia që kemi ëndërruar dhe ëndërrojmë shumica dërrmuese e jona është fare e thjeshtë. Që nga mjegulla e kohëve antike ajo ka pasur në qendër individin e mbarë, të lirë, mendjehapur, madje edhe të shëndetshëm e kur mundet edhe të pashëm. Ky njeri nuk bëhet skllav për një pjatë me gjellë, nuk jeton me frikën e së nesërmes, nuk rri të vrasë mendjen se mos sëmuret nesër dhe nuk ka se me se të blejë ilaçet. Ky njeri i jep udhë debatit, mendimeve ndryshe, artit, shkencës, dyshimeve, kuriozitetit, përmirësimit të jetës së racës njerëzore mbi dhe. Sigurisht që këto radhë që hodhëm më lart bëjnë fjalë për një situatë të përkryer, shumë e shumë larg nga ajo e qytetarit tonë të sotëm. Në këto vite, të nxitur edhe nga nxitimi për të bërë me se s’bën detyrat e shtëpisë që na kërkonte “mëma Europë” kemi bërë plot e plot ligje, kemi hartuar rregullore dhe kemi mbushur libra të tërë me nen e sythe, porse të gjitha këto shkojnë kot. Ne, bëjmë fjalë për shumicën e qytetarëve të Shqipërisë, dhe jo për një pakicë të lumtur, jemi një popull që ka frikë të madhe të sëmuret. Ne e kemi frikë sëmundjen, jo sepse çdo lëngatë e bezdisur dhe e shëmtuar në vetvete, porse në radhë të parë na shkon mendja se ku do t’i gjejmë paratë për doktorin dhe ilaçet. Nuk ju ka ndodhur ndonjëherë që të autosugjestiononi veten kur ju dhemb dhëmballa? Pa provojeni një herë të mendoni se sa para do të harxhoni te dentisti dhe keni për ta parë se organizmi i shkretë do ta largojë menjëherë dhimbjen. Një nga të fshehtat e demokracisë që duam të arrijmë është pikërisht kjo: klasa, së cilës rëndom i thonë drejtuese, porse duhet t’i thonë më mirë shërbyese, e ka për detyrë të saj parësore, imediate, gati-gati fetare që të bëjë sa më urgjentisht reformën në shëndetësi. Kjo vjen para të gjithave, para turizmit, para rrugëve, para ndërtimeve pa leje, para ekspertëve të huaj që vijnë të shohin Paskuqanin, absolutisht para të gjithave. Një i sëmurë as që e vret më mendjen nëse jeton në diktaturë apo në demokraci. Ai tashmë, sidomos kur askush nuk i ofron shpresë, e ka humbur lirinë e tij.
Para disa ditësh dëgjuam ministrin Bode që dha një shpjegim të gjerë e të gjatë – sigurisht të mbushur me terma që vetëm ai dhe kolegët e tij i njohin – sipas të cilit Shqipëria na qenka një vend krejt në rregull me financat, me disa probleme të vogla, por nejse. Sigurisht që u takon kolegëve që merren me të tilla punë të ngatërruara në lëmin e treguesve, indekseve, tabelave dhe shifrave që t’i japin të drejtë apo jo ministrit të nderuar Bode, porse teksa ai fliste, ne seç na u kujtua për dreq rasti i atij burrit të shkretë që kur vajtën t’i sekuestronin shtëpinë, më parë i vuri zjarrin shtëpisë dhe më pas shtiu mbi veten. Një tjetër jetë e mbyllur pa pasur lidhje as me demokracinë dhe as me diktaturën. Ministri me siguri që e di që populli shqiptar, apo shumë prej nesh nuk jemi gjë tjetër veçse një zinxhir i gjatë borxhesh, njerëzit u kanë borxh bankave. Të tjerë u kanë borxh të parëve. Që të parët të lajnë borxhin e parë duhet që të marrin paratë – na falni likuiditetet – që këtyre u kanë të tjerët dhe kështu zinxhiri i borxhlinjve të zënë dorë për dore zgjatet e zgjatet pa fund. Le të kujtojmë edhe një herë një nga problemet më delikate të demokracisë tonë të brishtë”, pushtetin lokal. Në të gjithë Shqipërinë janë me mijëra punonjësit e papaguar, që prej tashmë shumë muajsh, të bashkive dhe komunave. Po kështu, bashkitë dhe komunat nuk kanë paguar që prej muajsh firmat private për shërbimet e kryera. Këto të fundit nuk kanë paguar bankat dhe kështu me radhë. Ja një tjetër “lodër popullore” e mësuar në këto dy-tri vjetët e fundit. Klasa e sotme drejtuese – na falni sërish “shërbyese” – le të kujtohet sa më urgjentisht për këtë sekret që e dinë të gjithë. E ç’dreq demokracie do jetë ajo që është e mbushur me borxhlinj shpresëhumbur e me barkun thatë?
Një nga arritjet më të mëdha të demokracisë është ajo e lirisë së lëvizjes. Për fat, tash nuk kemi tela me gjemba, as klone me qen kufiri dhe me kufitarë vigjilentë, në një pjesë të mirë të botës mund të lëvizim lirshëm. Një gjë krejt e paimagjinueshme këtu e dy dekada më parë. Mirë, po a e kemi vrarë mendjen nëse kemi liri të vërtetë lëvizjeje brenda vetë republikës sonë? Kjo e thënë jo në kuptimin që ndokush do të na pengojë të shkojmë ku të duam, por në një kuptim tjetër, atë të transportit publik. Ka shumë ekspertë që shkallën e demokracisë së një vendi e masin edhe me shkallën e zhvillimit të transportit publik. Ne, dhe këtë të fshehtë e dinë gjithashtu të gjithë, kemi bërë një punë: e kemi kushtëzuar lirinë e lëvizjes me paratë që ke në xhep. Pra nëse do të lëvizësh nëpër Shqipërim në radhë të parë duhet të bësh çmos, me hir a me pahir, të kesh një makinë tënden, përndryshe, të pret furgoni, që ecën si i marrë. Jemi i vetmi vend në Ballkan, ku hekurudha është duke dhënë grahmat e fundit. Qytetet tona janë të stërmbushura nga makinat pikërisht sepse transporti urban është parë si një gjë e dorës së dytë dhe jo si një shërbim që në thelbin e tij ka lidhje pikërisht me demokracinë. Demokracitë, ato të vërtetat: Japonia, Franca, Gjermania, SHBA u ofrojnë lirinë e lëvizjes qytetarëve pa pyetur se sa “likuiditete” ka qytetari në xhep, nëse është milioner, apo tregtar, apo dreqi e di se çfarë. Goxha sfida të vështira këto “të fshehtat” e ditura të demokracisë.
Top Channel