Mbyllet festivali i dokumentarit

26/08/2013 00:00

Në natën finale të edicionit të 12-të Dokufest në Prizren u ndanë 9 çmime dhe 4 njohje speciale.

Çmimi kryesor në kategorinë e dokumentarëve të Ballkanit i takoi filmit të regjisores serbe, Ivana Todoroviç “When I was a boy, I was a girl”, ku trajtohet historia e një transvestiti nga Beogradi.

Me çmimin e publikut u shpërblye filmi “Kolona” i regjisorit nga Kosova Ujkan Hysa, për të cilin ky është cmimi i nëntë me radhë, pasi është vlerësuar në shumë festivale të filmit në botë.

Në kategorinë e filmave kombëtarë, juria ka zgjedhur filmin “The Stone on the Shore” të regjisores nga Shqipëria, Jonada Jashari.

“Është një vlerësim shumë i madh. E vlerësoj vlerësimin e jurisë, vlerësoj Dokufestin, organizimin. Natyrisht që e ndaj me të gjithë sepse filmin s’e kam bërë vetëm, ka patur punë dhe energji nga shumë njerëz”, tha regjisorja Jashari.

“Bellville Baby”, “A story for the Modlins”, “A sort of love”, “The wolf”, “Future my love”, “A society”, “Zibidi” e tjerë, janë filma të shpërblyer nga Dokufest.

Drejtori artistik i festivalit është shprehur i kënaqur me arritjet e festivalit në këtë edicion.

“Ka qenë një program i përpiluar mirë. Ishte një numër rekord filmash dhe pjesëmarrje të ftuarish. Asnjëherë në Dokufest nuk ka patur më shumë njerëz, atmosferë më të mirë dhe asnjëherë në Dokufest nuk ka patur më shumë vizitorë në kinema”, tha Veton Nurkollari, drejtor artistik i Dokufest.

Për 7 ditë gjatë festivalit në Prizren u mblodhën filmbërës nga e gjithë bota për të krijuar filma të shkurtër, me buxhet të ulët e në një mjedis të spontanitetit dhe bashkëpunimit. Ndër ta edhe studentë nga Akademia e Arteve të Bukura e Tiranës filmat e të cilëve u shfaqen natën finale në Kalanë e qytetit.

Top Channel