Të pëlqen puna që bën? Falendero vendin tënd!

25/08/2013 00:00

Edmund PHELPS – Është e njohur se njerëzit në vendet me ekonomi të zhvilluar nuk dallojnë shumë midis tyre për nga shkalla e kënaqësisë me punën që bëjnë.

Kjo mbështetet në arsyetimin se, meqë njerëzit kanë produktivitet të njëjtë dhe zbatojnë të njëjtat mënyra prodhimi, për pasojë, përvojat e tyre të punës duhet të jenë të njëjta.

Në fakt, diferencat në shkallën e kënaqësisë prej punës në vendet perëndimore janë të spikatura. Mbretëria e Bashkuar, e cila dallohet për paga të ulëta në raport me pasurinë e vendit, raporton një nivel të pëlqyeshëm e dinjitoz të kënaqësisë prej punës. Ndërkohë, Gjermania, edhe pse ka paga të larta, dallohet për një nivel modest të kënaqësisë prej punës, madje më të ulët se Italia dhe Spanja.

Të dhënat e ndryshme të raportuara gjatë dekadave të fundit për kënaqësinë prej punës kanë shpënë në keqpërdorime dhe keqinterpretime. Disa studiues, treguesit e lartë të Suedisë i interpretojnë si argument se sistemi ekonomik suedez, një përzierje unike e kapitalizmit dhe mirëqenies, është më i miri. Studiues të tjerë, duke u nisur nga treguesit edhe më të lartë të Danimarkës, arrijnë në përfundimin se sistemi danez, me flexicurity-në karakteristike dhe disa veçori të tjera, është ai më i miri. Por kjo mënyrë e përdorimit të të dhënave është e pakuptimtë. Është një gabim i nivelit të studentëve të Statistikës 101 të nxjerrësh përfundime nga të dhëna të veçuara dhe jo nga të dhënat si një e tërë.

Krenaria në punë

Besueshmëria e shkallës së kënaqësisë në punë, e raportuar nga studimet e ndryshme, mund të plotësohet nga vlerësimi prej tyre i krenarisë dhe rëndësinë që i japin punës që bëjnë. Renditjet e vendeve, sipas këtyre dy treguesve, janë të ngjashme me renditjen e kënaqësisë prej punës. Vendet e G7-s, që renditen në vendet e sipërme për kënaqësinë në punë, kanë po ato renditje edhe për krenarinë dhe rëndësinë që i japin punës.
Një interpretim kundërshtues argumenton se nivelet e ulëta të raportuara të kënaqësisë prej punës shpjegohen më shumë me pritshmëritë e përgjigjedhënësve sesa me monotoninë e punës që ata bëjnë. Shkalla e ulët e kënaqësisë, e ndeshur në Itali dhe Francë, është e lidhur me nivelin e pasurisë. Por edhe SHBA dhe Kanadaja janë vende të pasura dhe megjithatë, në këto vende, raportohet një shkallë e lartë kënaqësie prej punës. Dhe kur Irlanda, brenda një dekade, u shndërrua nga një vend i varfër në një vend të pasur, mbeti në krye të listës së vendeve të zhvilluara, me një shkallë të lartë kënaqësie prej punës.

Studimet krahasuese në ekonomitë e vendeve të Europës Perëndimore, të kryera gjatë dekadave të fundit, kanë evidentuar se sistemi i tyre ekonomik bazik, një sistem korporatist që u mundëson sipërmarrjeve të mëdha, punëmarrësve të mëdhenj dhe qeverive të mëdha të vënë veton në rezultatet e tregut, është po aq efektiv sa edhe sistemi kapitalist modern në plotësimin e qëllimeve të ndryshme.

Studiues të tjerë argumentojnë se vendet europiane ecën përpara nëpërmjet aplikimit të përfitimeve të papunësisë dhe rritjes së taksave, nisur nga vlerësimi se kostot e tyre ishin të pallogaritshme. Kjo pikëpamje, e prezantuar nga ekonomistë të Universitetit të Çikagos dhe MIT, është një parim neoliberal, sipas të cilit që një vend të jetë i suksesshëm mjafton që qeveria të mos ndërhyjë në politikat e çmimeve dhe pagave.

Përveç kësaj, një vend nuk mund të jetë i suksesshëm pa një dinamizëm ekonomik të lartë. Por dinamizmi i lartë kërkon institucione dhe kulturë ekonomike, që mbështet idetë e reja tregtare, ndihmon sipërmarrësit t’i zhvillojnë këto ide, të rrisin fuqinë kontraktuese të punonjësve dhe mbështesin lirinë e protestave ndaj mashtrimeve.

Ligji për sipërmarrjen

Ligji është një institucion bazik për funksionimin e kapitalizmit modern. Ligji mbron kreditorët nëpërmjet falimentimit, anarkinë nëpërmjet menaxherëve, kompaninë nga punonjësit që performojnë dobët, vendos kufizimet për të drejtat e punonjësve etj. Ligji është i nevojshëm për të vendosur rregullat dhe kufizimet në zgjidhjen e konflikteve. Në mungesë të ligjit, sipërmarrësit dhe investitorët mund të hezitojnë në zbatimin e ideve të reja.

Politikat ekonomike të një vendi mund ta nxisin ose pengojnë sipërmarrjen. Duke u mbështetur në disa të dhëna të shkëputura, konservatorët arrijnë në përfundimin se çdo element i politikave ekonomike që parashikon çfarëdo roli të qeverisë në ekonomi është një kosto e pengesë për zhvillimin ekonomik. Por ndërsa mund të pranohet se në ekonominë rurale të kapitalizmit tregtar mund të pranohej se ndërhyrja e shtetit në sektorin e sipërmarrjes, për shembull, detyrimi për të prodhuar më shumë misër dhe më pak veshmbathje, mund të ishte e dëmshme, nuk mund të thuhet e njëjta gjë edhe në ekonominë e sotme, kur pakësimi apo rritja e shpenzimeve për arsimin mund të dëmtojë novacionin. Ne nuk mund të dimë nëse ky apo ai veprim i qeverisë mund të jetë konstruktiv apo shkatërrues për dinamizmin e ekonomisë, rrjedhimisht edhe për kënaqësinë prej punës.

Ekzistojnë prova se vendet me nivele të larta të shpenzimeve qeveritare për kujdesin mjekësor, pensionet dhe arsimin synojnë drejt niveleve të larta të kënaqësisë në punë.

Institucionet rregullatore, sidomos rregullat mbi kreditimin e tregut (kontrolli i nivelit të interesave) dhe tregun e mallrave, janë kufizuese të kënaqësisë në punë. Një rol të tillë kufizues luajnë edhe marrëveshjet kolektive dhe rregullat mbi pranimet dhe largimet nga puna.

Ekonomia konsiston në kulturën ekonomike dhe në një set institucionesh. Besime e qëndrime të caktuara ndikojnë në rezultatet e punës dhe efektivitetin e bashkëpunimit në vendin e punës.

Sipërmarrësi francez, Philippe Bourguignon, jeta punuese e të cilit është ndarë midis Europës dhe SHBA-së, i ka portretizuar këto dy rajone me kultura të dallueshme. Në analizën e tij, diferencat qëndrojnë në mënyrat e ndryshme të rritjes së fëmijëve. Nënat franceze, sipas tij, i ndjekin fëmijët nga afër ndërsa luajnë, duke i këshilluar ata të jenë të kujdesshëm. Ndërkohë, nënat amerikane u kushtojnë më pak vëmendje. Rrjedhimisht, amerikanët rriten duke mësuar nga dështimet.

Qëndrimet në vendin e punës

Mjaft vlera luajnë një rol të rëndësishëm në brezat e një vendi me performancë ekonomike të lartë, duke ndikuar aftësitë dhe dëshirat e njerëzve për ide e produkte të reja. Vlera të tjera ndikojnë kushtet ekonomike që mbështesin ose dëmtojnë perspektivat tregtare për inovacion dhe zhvillime të reja. Le të marrim, për shembull, disa aspekte të kulturës perëndimore, si aftësitë problem-zgjidhëse, kuriozitetin, eksperimentimin dhe eksplorimin. Një studim i kryer prej Qendrës për Kapitalizmin dhe Shoqërinë në Universitetin Kolumbia ka evidentuar se disa qëndrime në vendin e punës të përfshira në Studimin mbi Vlerat Botërore janë të lidhura ngushtë me performancën e lartë ekonomike të vendit.

Në çfarë mase njerëzit e një vendi vlerësojnë aspektet interesante të punës është e lidhur me nivelin e disa përmasave të performancës ekonomike. Me performancën ekonomike është e lidhur edhe shkalla e pranimit të ideve dhe prirja e individëve për iniciativa të reja.

Ndërsa vullneti i paktë për të zbatuar urdhrat, një tipar që ndeshet në disa vende europiane, rrjedh prej performancës së dobët ekonomike. Gatishmëria për të pranuar ndryshimin dhe vullneti për të pranuar konkurrencën janë gjithashtu të dobishme. Ndërkohë që dëshira për të pasur arritje nuk ka shumë rëndësi. Arritja nuk është një objektiv që e dëshirojnë njerëzit; ajo që kërkohet është eksperienca – jeta.

Edmund Phelps, drejtori i Qendrës së Kapitalizmit dhe Shoqërisë në Universitetin e Kolumbias dhe dekan i Shkollës se Re Huadu të Biznesit në Universitetin Minjiang, ka marrë Çmimin Nobel në Shkencat Ekonomike në vitin 2006. Kjo është një pjesë e shkëputur nga libri i tij i ri: “Mass Flourishing: Hoë Grassroots Innovation Created Jobs, Challenge, and Change,” që do të publikohet më 25 gusht nga Princeton University Press.

Marre nga gazeta “Shqip”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA