Me dhjetra artizanë nga Shqipëria dhe Maqedonia kanë pushtuar fshatin turistik të Tushemishtit në Pogradec, i cili është përzgjedhur për mbajtjen e panairit të artizanëve.
Në panair janë pasqyruar punime të krahinave të ndryshme, duke sjellë kështu një ndërthurje të gjithë traditës sonë të trashëguar ndër breza.
Në qendrën e fshatit, që tashmë mban emrin “Teto Ollga”, gratë pjesëmarrëse kanë ekspozuar punime nga më të ndryshmet, të realizuara në vegjë, grep, shtizë apo qëndisje, por nuk kanë munguar as punimet në qeramikë dhe dru.
“Brenda programit kanë qenë të fokusuar të tre komunat, por sot këtu kemi nga Kukësi, Shkodra, Erseka, Korça, Struga, Voskopoja dhe pse jo edhe nga Tirana. Ky është një projekt biznesi dhe nesër-pasnesër mund të ngrihen bizneset e tyre, gjë që është edhe qëllimi i panairit në vetvete. Jo thjesht një panair për sot, shitjet do të vazhdojnë nesër dhe gjatë gjithë muajit shtator, por edhe në tetor”, tha Barana Cereli, drejtuese e projektit.
Kryetari i komunës Buçimas, Roshi Tollozhina, është shprehur se ky panair stimulon gjithashtu edhe zhvillimin e turizmit në këtë fshat.
“Kjo është një mbështetje e punëve në zonat turistike nga fondet e Bashkimit Europian dhe ato IPA. Jemi në bashkëpunim me komunën e Voskopojës dhe të Strugës, për promovimin e vlerave turistike, kulturore, prodhuese e artizanale, për t’i vënë në pah pasi këto kanë ekzistuar në zonat tona e janë jo pak të rëndësishme, por dhe për t’i alternuar në sezonet turistike, si ky i tanishmi që po zhvillohet këtu”, tha Rroshi Tollozhina.
Panairi në Tushemisht vjen pas atij, të zhvilluar një muaj më parë, në Voskopojë, dhe ka për synim punësimin e grave në këta sektorë.
Top Channel